Qeveria greke ka nënshkruar me gjigantin e naftës BP një kontratë, me anë të së cilës i ka shitur kompanisë shumëkombëshe të drejtën për shfrytëzimin e rezervave të naftës së Prinout, një zonë detare në jug të Kavalës, pranë kufijve me Turqinë.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri grek i Ambientit, Energjisë dhe Ndryshimeve Klimaterike, Jannis Maniatis, ambasadori i Britanisë në Athinë, John Kitmer, dhe një prej krerëve drejtues të kompanisë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje gjashtëvjeçare me vlerë 500 milionë dollarë, që shënon edhe riaktivizimin e BP në Greqi, pasi kompania ishte larguar nga vendi, qysh prej vitit 2009.

Sipas kontratës, krijohen kushtet për kërkime të reja në zonë, të cilat kanë qëllim të dyfishojnë numrin e fuçive të naftës, nga 2500 çdo ditë, në 5000 të tilla.

Përveç përfitimit ekonomik të marrëveshjes, që thekson Ministria greke, nënshkrimi i saj shpreh besimin e një kolosi gjigant të naftës në tregun energjitik të vendit.

Rikthimi i BP në Greqi cilësohet nga burime të tregut si një ngjarje veçanërisht e rëndësishme në prag të zhvillimeve, që priten në muajt e ardhshëm, përsa i përket shfrytëzimit të burimeve të reja të naftës e të gazit në territorin e Greqisë, sidomos ato në zonën e Detit Jon, apo në jug të Kretës.

Vitin e kaluar, një kompani norvegjeze ka kryer kërkime në disa zona detare, me përmasa 100 km katrore, në veri të ishullit Paksos në Detin Jon, si dhe në jug, perëndim dhe veriperëndim të Korfuzit, pranë kufjve shqiptarë.

Pikërisht në këtë zonë, si dhe në Katakolo, pranë gjirit të Patrës, gjenden – sipas hartave të reja – edhe rezervat më të mëdha të naftës, për të cilat Athina shpreson se do të sjellin në 3 dekadat e ardhshme nga 100 deri në 250 miliardë euro në arkat e shtetit.

Rikthimi i BP koinçidon me interesin që kanë shprehur gjigantët e tjerë të naftës, si kompania amerikane “EXXON MOBIL”, norvegjezja “STATE OIL” dhe francezja “TOTAL”, që presin tenderat, që do të shpallë qeveria greke deri në fund të këtij viti, për shfrytëzimin e këtyre burimeve energjitike.

Top Channel