Statusi i Kosovës nuk është në tavolinën e bisedimeve Prishtinë-Beograd, por Serbia do të ishte e gatshme të diskutojë për këtë nëse kjo do të ishte e mundur.

Kështu deklaroi kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, gjatë vizitës së tij të martën në komunën e Graçanicës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për inaugurimin e komunave veriore pa simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, Daçiç tha se ka ndodhur kështu sepse Serbia nuk i njeh simbolet.

Dokumentet, sipas kryeministrit të Serbisë mund të përmbajnë simbole të tërësisë, por jo të shtetit të Kosovës.  

“Natyrisht që ka logjikë të mbahen mbledhjet inaugurese pa simbolet e Kosovës,  pasi ne nuk i njohim. Serbia merr pjesë në dialog për arsye të normalizimit të raporteve, e jo që të përforcohet pavarësia e Kosovës apo njohja e saj. Ne nuk e njohim atë, ne dëshirojmë të diskutojmë për të gjitha çështjet, sa na perket neve. Edhe çështja e statusit mund te ishte në tryezën e bisedimeve, por nuk është. Këto bisedime janë neutrale karshi statusit të Kosovës. Megjithatë, për ne është e rëndësishme që të gjitha dokumentet mund të kenë simbole të tërësisë së Kosovës, por jo të shtetit të Kosovës. Ajo çka përfaqesuesit serbë dëshirojnë është që të mos ketë simbole shtetërore në këto dokumente. Kjo është arsyeja dhe kjo duhet te zgjidhet me kompromis në Bruksel”, deklaroi Daçiç.  

Njëra nga temat për të cilën Daçiç pyetet shpesh nga gazetarët është nëse Serbia do të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

Por, autoritetet serbe duket se nuk janë të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë. 15 vjet nga përfundimi i luftës, kryeministri i Serbisë deklaron për përgjegjësinë që duhet të japin para ligjit si serbët ashtu edhe shqiptarët.  

“E dini çfarë? Kushdo që ka kryer akte të tilla, pavarësisht përkatësisë serbe apo shqipetare duhet të mbajë përgjegjësi . Nuk është detyra ime të kerkoj falje, detyra ime është të shikoj përpara, e jo prapa”, shtoi Daçiç.

Përveç vizitave të herë pas hershme në manastire, politikanët serbë kanë filluar ta plotësojnë axhenden e tyre kur vijnë në Kosovë.

Këtë herë, kryeministri i Serbisë mori pjesë në premieren e filmit serb Montevideo, një film ky i cili flet për pjesëmarrjen e përfaqësueses së ish-Jugosllavisë, në Kampionatin Botëror të futbollit në vitin 1930 në Uruguai.  

Në fakt, shfaqja e premierës së filmit “Montevideo” ose në anglisht “Taste of a Dream” në Graçanicë ishte arsyeja zyrtare për të cilën Daçiç vizitoi të martën Kosovën.

Ai ishte i shoqëruar edhe nga grupi i aktorëve dhe regjisori i filmit, Dragan Bjellogërlliç.

Ky film u realizua në vitin 2010. Është fitues i çmimeve ndërkombëtare dhe premiera në Graçanicë u dha përpara se të jepej në Beograd.

Top Channel