Rama, në shkurt viziton Serbinë

15/01/2014 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka njoftuar se janë duke u përgatitur për vizitën e kryeministrit Edi Rama, e cila sipas tyre pritet të ndodhë në muajin shkurt.

Edi Rama, shkruan gazeta më e vjetër serbe “Politika”, do të jetë kryeministri i parë shqiptar që do të vizitojë zyrtarisht Serbinë pas Enver Hoxhës në vitin 1946.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Jashtëm, Ivan Mrkiç, i cili ka thënë se vizita pritet të ndodhë në shkurt. Data e saktë nuk dihet pasi diplomacia serbe ka qenë e zënë me bisedimet me Kosovën dhe po ashtu me fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

“Ë përshëndesim nismën e tij për të ardhur në Serbi. Jemi të gatshëm të flasim me të për krijimin e marrëdhënieve sa më të mira në rajon“, ka thënë Mrkiç.

Të dyja vendet kanë interes për të folur për shumë fusha, ndërkaq një ndër to rezulton edhe pakica serbe në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Jashtme serbe, Tirana dhe Beogradi duhet të kenë marrëdhënie më të mira dhe lidhje shumë më të forta se deri më tani.

Vizita e kryeministrit Rama pritej që në nëntor të vitit të kaluar, por duket se tensionet e ndryshme dhe zgjedhjet në Kosovë patën ndikuar që ajo të mos realizohej.

Top Channel