Bosnja është shndërruar në një pikë kyçe të trafikut të armëve drejt grupeve islamike që luftojnë në Siri, raportoi të mërkurën e përditshmja serbe “B92”.

Sipas këtij lajmi, CIA dhe disa agjensi europiane të inteligjencës janë duke realizuar një prej hetimeve më të mëdha ndonjëherë, në lidhje me këtë aktivitet në dukje “të toleruar” prej Sarajevës zyrtare.

Lidhja e Bosnjes me këtë aktivitet bëhet pas bastisjes që policia turke kreu në një organizatë bamirësie muslimane një ditë më parë, pas dyshimeve se ndihmonte kryengritësit ekstremistë në Siri.

Në listën e adresave të “Insan Hak Huriet” mësohet se janë gjetur shumë kontakte të shtetasve boshnjakë, të dyshuar si pjesëmarrës në aktivitete të jashtëligjshme trafiku ndërombëtar armësh.

Një burim i konsideruar nga “B92” si i “mirëinformuar” konformoi prezencën e agjensive ndërkombëtare të inteligjencës në Bosnje,  me qëllim hetimin e këtyre dyshimeve.

Gjatë konfliktit sirian, emri i shtetit ballkanik është lakuar herë të tjera për shkak të disa dhjetëra shtetasve boshnjakë, të cilët kanë shkuar në Siri të luftojnë përkrah militantëve.

Top Channel