Kryeministri grek, Andonis Samaras u prit nga presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, përpara se t’i nënshtrohej debatit në seancën plenare të Strasburgut mbi prioritetet e Presidencës së Bashkimit Europian për këto 6 muaj.

“Po ju drejtohem si kryeministër i Greqisë, i një vendi që u vu në provë më shumë se cilido tjetër nga kriza. Vendi im vuajti gjatë këtyre viteve më shumë se ç’ka vuajtur ndonjëherë ndonjë anëtar i BE-së. Por dua të insistoj mbi një fakt. Greqia përmbushi angazhimet dhe firmën e saj. Ne nuk u dorëzuam”, deklaroi Samaras, i cili u duartrokit.

“Është e vërtetë se asgjë nuk është e përsosur, por krahasuar me çfarë kemi përjetuar në ato momente të vështira në zyrën time, pati gjithësesi një përmirësim të pastër dhe dështimi u evitua. Ne kundërshtuam të gjithë ato zëra të këqinj që thoshin se Europa është e ndyrë dhe nuk shërben për asgjë”, deklaroi më pas Joseph Daul, President i PPE.

“Tashmë ju jeni Presidenca e greke e BE-së e mund të ushtroni të gjitha mësimet e nxjerra në vendin tuaj për të reformuar Bashkimin Europian. Ju jeni në pozitën më të mirë për t’ju thënë kolegëve tuaj “Jo, mos e bëni këtë, ju lutem”. Bëni një Union Bankar, sepse ju i dini pasojat e mungesës së BEsë dhe bashkimit. Këshilla dhe kërkesa ime është bëjeni Unionin Bankar, por ky propozim që kemi aktualisht, më vjen keq por nuk është ajo çfarë krijon besim në sektorin bankar. E ju e dini se problemi që has Europa sot është bllokimi i mekanizmit të transformimit ndërmjet bankave dhe ekonomisë reale”, tha Guy Verhofstadt, president i ALDE.

“Unioni Bankar nuk mund të pranohet nga ne. As nga ne dhe as nga shumica e vendeve anëtare. Por, ata u pajtuan për gjetjen e një marrëveshjeje më në fund. E kjo marrëveshje nuk do të kalojë shpejt, sepse ky Parlament, siç kemi dëgjuar zërat e fortë nga grupet politike kryesore deri tani, nuk do ta pranojë Unionin Bankar siç e thotë marrveshja. Nevojiten ndryshime radikale për të krijuar këtë Union Bankar”, tha më tej Hannes Swoboda, President i S&D.

Ndërsa Parlamenti Europian pret nga Greqia krijimin e Unionit Bankar duke ndryshuar marrveshjen e Këshillit të Dhjetorit, kryeministri Samaras i dha përparësi punësimit, reformave strukturore, sociale dhe ekonomike, politikave detare, ndërsa përmendi zgjerimin në kuadër të sfidave të jashtme të BE-së.

Përgatiti:
Arta Tozaj

Top Channel