Pas gati 15 vitesh është zbardhur vrasja e gazetarit serb, Sllavko Çuruvija, ndër më liberalët dhe opozitarët në kohën e Sllobodan Millosheviçit. Më në fund është dëshmuar se ai është vrarë nga shërbimi sekret serb.

Policia serbe ka arrestuar dy ish-pjesëtarët Ratko Romiç dhe Milan Radonjiç për vrasjen, kurse urdhëri është dhënë nga krerët e inteligjencës serbe. Ndërkohë, në vrasje thuhet se ka marrë pjesë edhe ish-pjesëtari tjetër Mirosllav Kurak.

Prokuroria ka bërë të ditur se ish-kreu i klanit të Zemunit, Millorad Ullemek Llegia, i cili është gjykuar për vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiç, ka dhënë dëshmi për rastin.

“Ullemek nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë asnjë shpërblim për dëshminë. Ai vetëm ka folur në detaje për njohuritë e tij”, deklaron Miljko Radisavljeviç, prokuror për krimin e organizuar.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për lajmin që ka bërë jehonë, zyrtarët e shtetit serb dhe përfaqësues të mëdiave kanë thënë se kjo tregon që liria ndaj medias, por edhe lufta kundër krimit kanë marrë një formë tjetër.

“Askush nuk mund të vrasë pa u ndëshkuar dhe asnjë vrasje nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Dhe asnjëherë më në Serbi krime të tilla nuk do të përsëriten”, deklaroi zv.kryeministri Alleksandar Vuçiç.

“Krimet e pa ndëshkuara, e sidomos ato që vinë nga shteti, janë përbëjnë kërcënim për dhunë të re. Prandaj është me rëndësi që këto hetime të mos ndalen me kaq dhe që zbardhja e krimeve të bëhet instrument i një shteti ligjor”, deklaroi gazetari Veran Matiç.

Çurivija ka qenë një nga gazetarët më të rëndësishëm në Serbi dhe një njeri që refuzonte t’i quante shqiptarët në Kosovë si terroristë. Ai u vra në prill të vitit 1999 në kohën që po shëtiste me bashkëshorten e tij. Ai botonte të përditshmen “Telegrafi” dhe revistën “Europlanin”, të cilat ishin opozita më e madhe e pushtetit të atëhershëm.

Është interesante që zëvendëskryeministri serb, i cili udhëhoqi grupet punuese për hetimet, në kohën e vrasjes ka qenë ministër për Informim. Ndërkohë, mediat serbe spekulojnë se urdhërin për vrasjen mund ta ketë dhënë Mira Markoviç, bashkëshortja e Millosheviç.

Top Channel