Gjatë mandatit të parë 5-vjeçar, anëtarët e Komisionit për Lustracionin në Maqedoni kanë kontrolluar rreth 30 mijë dosje dhe kanë konstatuar se 124 persona, në të kaluarën kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete.

Faza e dytë, që do të përmbyllë procesin e lustracionit do të zgjasë edhe pesë vite, ndërsa lustratorëve u mbetet të kontrollojnë edhe mbi 20 mijë dosje.

“Komisioni është perballur me shumë probleme gjatë punës, pasi procesi i lustracionit është problematik. Një grup i caktuar në vendin tonë ishte pro tij, ndërsa një grup tjetër kundër këtij procesi, ndaj ka pasur dhe diskutime. Megjithatë, Komisioni dëshmoi se posedon kapacitet për të përmbyllur mandatin, ashtu siç kërkohej nga ne”, tha Tome Axhiev, kryetar i Komisionit për Lustracionin në Maqedoni.

Ndërkohë, Parlamenti ka filluar procedurat për zgjedhjen e përbërjes së re të Komisionit për Lustracionin, që duhet të udhëheqë fazën e dytë dhe të fundit të këtij procesi. Partia maqedonase VMRO-DPMNE dhe dy subjektet shqiptare do të mbështesin përbërjen e re, edhe pse aty figurojnë emrat e gati të gjithë anëtarëve nga Komisioni i kaluar.

BDI dhe PDSH shprehën edhe vërejtjet e tyre lidhur me lustracionin dhe kërkuan që, paralelisht me këtë proces, të rregullohet edhe çështja e të përndjekurve politik shqiptarë nga regjimi i kaluar.

“Lustracioni ka një kuptim për komunitetin etnik maqedonas, por ka një kuptim tjetër dhe shumë më të ndjeshëm për komunitetin shqiptar në Maqedoni. Për këtë arsye, ne insistojmë që të bëjmë përpjekje, të japim një përgjigje edhe për procesin e rehabilitimit të të njollosurve, si një kategori, por edhe të të dëmtuarve”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

“Qindra dhe mijëra shqiptarë janë burgosur, janë dhënë qindra-mijëra vite burg. Vite më parë, gjatë procesit të ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për Lustracionin, nga ana e partisë shqiptare në pushtet, BDI, u tha se paralelisht do të miratohet edhe ligji për dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e të burgosurve shqiptarë gjatë kohës së komunizmit, mirëpo ja që po kalojnë vite dhe kjo gjë nuk po ndodh”, tha Imer Aliu, koordinator i grupit parlamentar të PDSH-së.

Kundër lustracionit është shprehur vetëm opozita maqedonase, e cila vlerëson se pushteti po përdor procesin për të njollosur kundërshtarët politik.

Top Channel