Orët e para të mëngjesit të së enjtës gjeti vdekjen në një atentat Dimitrije Janiçijeviç, këshilltar në Komunën e Mitrovicës Veriore nga Lista e Partisë së Pavarur Liberale.

Vrajsa ka ndodhur pikërisht në orborrin shtëpisë së viktimës kur persona të panjohur kanë shtënë me armë automatike në drejtim të këshilltarit serb nga një makinë në lëvizje.

Policia ende nuk ka arrestuar asnjë përson lidhur me këtë ngjarje. Të kontaktuar nga TCH, zyrtarët policorë në veri nuk kanë dhënë asnjë detaj shtesë lidhur më ketë rast, ndërkohë që thuhet vetëm se po vazhdojnë hetimet.

Raportet spitalore tregojne se nga plagët e marra viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që trupi i tij është dërguar në morg. Kjo vrasje ka alarmuar krerët shtetërorë të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar është shprehur i shokuar me lajmin e vrasjes së Janiçijeviç.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ai i ka bërë thirrje policisë dhe EULEX-it për një hetim të plotë, duke përdorur të gjitha forcat. Po kështu edhe kreu i misionit të OSBE-së ka dënuar vrasjen duke e quajtur një krim të turpshëm.

Nga ana tjetër, presidentja kosovare dhe kryeminsiti këtë vrasje e kanë cilësuar si vrajse për për destabilizimin e vendit dhe veprim të mjerueshëm e që sipas tyre ka për e qëllim frikësimin e qytetarëve.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi kërkojnë nga organet e rendit që të marrin të gjitha masat për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij akti dhe për të sjellë përpara drejtësisë autorët e kësaj vepre.

35-vjçari Dimitrije Janiçijeviç, baba i tre fëmijëve, ka qenë këshilltar në komunën e Mitrovicës Veriore dhe kandidat për kryetar të saj në zgjedhjet e fundit lokale nga Lista e Partisë së Pavarur Liberale. Kjo parti udhëhiqet nga Sllobodan Petroviç dhe është në bashkëqeverisje me kabinetin Thaçi.

Top Channel