Në Serbi do të mbahen më 16 mars zgjedhje të parakohshme, bashkë me ato për pushtetin vendor të Beogradit, dhe do të jetë vetë presidenti Tomisllav Nikoliç që do t’i shpallë.

Kështu shkruan në numrin e sotëm të saj e përditshmja prestigjoze “Politika”, që citon burime të ndryshme të koalicionit qeveritar. Më 29 janar është dita e fundit e nevojshme për shpalljen e votimeve të parakohshme dhe për të mundësuar mbajtjen e tyre paralelisht me bashkiaket e kryeqytetit.

Sipas gazetës, më 25 janar është parashikuar një kongres i Partisë Progresiste Serbe, partia e presidentit Nikoliç dhe kryesorja në koalicionin qeverisës, gjatë të cilit lidershipi do të shprehet në favor të procesit elektoral.

PPS është gjithësesi partia e parë në Serbi, me sondazhet që i akreditojnë rreth 45 për qind të mbështetjes, shumë më përpara se Partia Demokratike e ish-presidentit Boris Tadiç, që ka rreth 15 për qind të mbështetjes.

Top Channel