Përveç bllokadës në procesin e integrimit, çështja e emrit të Maqedonisë po shkakton ndarje edhe mes qytetarëve.

Një hulumtim i bërë nga Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar tregon se pjesëtarët e dy komuniteteve më të mëdha në vend kanë dallime të mëdha kur është në pyetje emri i Maqedonisë kundrejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Sipas këtij hulumtimi, rreth 65% e qytetarëve maqedonas zgjedhin të ruajnë emrin e vendit para integrimit, ndërsa për 68% të shqiptarëve prioritet përbën integrimi dhe jo emri i Maqedonisë.

Në bazë të rezultateve të këtij hulumtimi, shumica e qytetarëve mendojnë se çështja e emrit nuk mund të zgjidhet, ndërsa 45% e tyre kërkojnë që Shkupi t’i ndërpresë bisedimet me Greqinë lidhur me problemin e emrit.

Situata e këtillë, sipas shefit të diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski, është rezultat i mungesës së vullnetit tek pala greke për të tejkaluar problemin bilateral që zgjat prej më shumë se 20 vite.

“Mendoj se rritja e numrit të qytetarëve që kërkojnë ndëprerjen e bisedimeve me Greqinë ndodh për shkak se ata e ndjejnë se në përbërjen aktuale të qeverisë greke nuk ka vullnet të sinqertë për arritjen e zgjidhjes, e cila do të ishte e pranueshme për Greqinë dhe Maqedoninë e që do të na hapte dyert drejt Bashkimit Evropian”, deklaron Popovski.

Sipas hulumtimit të bërë nga Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në rast të moszgjidhjes së shpejt të çështjes së emrit, në vend do të përkeqsohen raportet ndëretnike, do të ngecë zhvillimi ekonomik, si dhe do të shtohen kërkesat e palës greke.

Top Channel