Në alarm ndodhet shërbimi i anti-terrorit në Greqi pasi dy zarfe që përmbanin plumba janë dërguar nga persona të panjohur në adresën e guvernatorit të Bankës së Greqisë dhe të një prej gazetarëve më të njohur të vendit.

Zarfi, i dërguar bashkë me postën në adresën e Jorgos Provopoulos, kreu i Bankës së Greqisë, është zbuluar nga skaneri i shërbimit të këtij institucioni dhe pasi është dërguar në laboratorin e balistikës është konstatuar se brenda tij janë gjetur dy plumba të kalibrit 7.62 milimetra.

Gjithashtu janë bërë dhe analizat e ADN-së për të zbuluar ekzistencën e gjurmëve të mundshme nga dërguesi. Sipas informacioneve paraprake, brenda në zarf ka pasur edhe një letër me kërcënime përsa i përket gjendjes ekonomike të vendit, si dhe skandalit me kreditë e dyshimta të Helenic Post Bank.

Një zarf i ngjashëm i është dërguar edhe gazetarit të njohur të stacionit televiziv MEGA dhe njëkohësisht dhe të gazetave “TANEA” dhe “To Vima”, Janis Pretenderis. Përgjegjësinë për këtë akt e ka marrë përsipër grupi “Ndëshkuesit popullorë”, një organizatë deri tani e panjohur për organet e rendit.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme të zarfeve me plumba ndaj personave të rëndësishëm si ai i shkurtit të vitit 2013, kur marrësi ka qenë ministri i Financave Janis Sturnaras, ai i vitit  2011 i dërguar në zyrat qendrore të PASOK dhe i vitit 2010 kur është çuar tek Sekretaria e Përgjithshme e Shtypit.

Top Channel