Në pesë vitet e kaluara në Maqedoni janë punësuar rreth 50 mijë nëpunës maqedonas dhe më pak se 4 mijë shqiptarë.

Këto shifra alarmante për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucione i ka prezantuar Partia Demokratike Shqiptare në opozitë gjatë debatit parlamentar për dy projekt/ligjet e qeverisë që kanë të bëjnë me administratën shtetërore dhe sektori publik.

PDSH-ja kërkon që këto projekt/ligje të tërhiqen nga proçedura parlamentare pasi i vlerëson të dëmshme për shqiptarët dhe nuk rregullojnë përfaqësimin e tyre në institucione.

”Prej vitit 2008 deri në vitin 2013 janë të punësuar mbi 50 mijë maqedonas në dëm të shqiptarëve që janë 3-4 mijë me të gjithë nacionalitetet tjera. Me këto ligje ju mundoheni që ta mbyllni këtë dështim të partnerit shqiptarë të koalicionit I cili mbrohet me atë se ne përmes amandamenteve do të përmisojmë këto dy ligje”, deklaroi deputeti Gazmend Aliu.

Edhe pse i pranishëm në këtë debat, ministri për Shoqëri Informative dhe Administratë, Ivo Ivanovski nuk i mohoi këto shifra. Ai nuk iu përgjigj as akuzave të PDSH-së lidhur me përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në ministrinë e tij, me vetëm 2 për qind.

Me deputetët e PDSH-së polemizoi shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Nexhat Jakupi. Ai tha se projekt/ligjet e qeverisë për administratën shtetërore dhe sektorin publik shkojnë në favor të përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe pamundësojnë manipulimet gjatë punësimeve.

“Me të dy ligjet qëllimi është që të bëhet përfundimisht rregullimi dhe aftësimi profesionaI i administratës në tërësi dhe në veçanti për shqiptarët, të cilët për këto 10 vite janë punësuar konform ndryshimeve kushtetutese të vitit 2001”, deklaroi Jakupi.

Sipas Kushtetutës, administrata shtetërore dhe ajo publike detyrohet të ketë të punësuar të paktën 25 për qind shqiptarë, por ky numër edhe sipas të dhënave zyrtare nuk kalon 20 përqindëshin.

Top Channel