Të shtunën në Bruksel u mbajt takimi i radhës i grupit për zbatimin e marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së.

Takimi u zhvillua në mes të delegacionit të Kosovës të kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ndërmjetësve të BE lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete.

Mundësia e arritjes së kësaj marrëveshje në mes të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Ky takim ka qenë i frytshëm në arritjen e pajtueshmërisë së palëve në dialog që pritet të rezultojë me arritjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës si përfaqësues legjitim i industrisë së sigurimeve, dhe Asociacionit të Sigurimeve të Serbisë, dhe u hartua një draft fillestarë i kësaj Marrëveshje, njofton qeveria e Kosovës.

Palët po ashtu u dakorduan edhe për hapat e mëtutjeshëm lidhur me arritjen e marrëveshjes, ku ndërkohë do të zhvillohen diskutime për rregullativat ligjore përkatëse të dyja shteteve dhe dokumente tjera shtesë, që në ditët në vijim të plotësohet marrëveshja me elementet e parapara si nga industria e sigurimeve e po ashtu edhe nga rregullat ndërkombëtare të paraqitura nga Këshilli i Byrosë së Kartonit të Gjelbër me seli në Bruksel dhe nga dokumenti i Kretës ku përfshihen rregullat interne të vendeve në lidhje me sigurimet e automjeteve, bëhet e ditur në njoftimin e kryeministrisë.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje z. Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit dhe koordinator për çështjen e sigurimeve të automjeteve , dhe delegacionin nga Byroja e sigurimeve të Kosovës.

Top Channel