Rreth 200 përfaqësuesë të komunitetit shqiptar në Bruksel protestuan të hënën përpara ndërtesës së Shërbimit të Jashtëm Europian kundër anëtarësimit të Serbisë, përpara mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të 21 Janarit për nisjen e negociatave me BE-në.

Duke e konsideruar Serbinë përgjegjëse për luftrat në Ballkan, pjesëmarrësit u shprehën të zhgënjyer ndaj Bashkimit Europian që nxiton të anëtarësojë Beogradin pa respektuar kushtin paraprak të njohjes së Kosovës dhe pa kërkuar as falje për genocidin e kryer gjatë viteve 1998-1999, kur ende nuk janë gjetur trupat e 1800 të zhdukurve.

I realizuar me lejen e policisë belge, manifestimi ndërthurej mes fjalimesh, himnit dhe këngëve patriotike. Përfaqësuesit e këtij komuniteti theksuan se shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë janë një komb dhe pro-europianë.

Por, përmes parrullave në shqip e frëngjisht u kritikua qasja e BE-së, e cila ndryshe nga parimet mbi të cilat u themelua, mban pranë ekzekutuesit duke diskriminuar viktimat, pasi nuk lejon nisjen e proçedurave për kandidaturën e Kosovës dhe pengon në Ballkan vetëm kosovarët  që të lëvizin lirshëm në BE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel