Opozita në Maqedoni vlerëson se raportet e brishta ndëretnike në vend mund të përkeqësohen edhe me tepër nëse mazhoranca mbështet draftin e qeverisë për ndryshimin e ligjit për ndërtim.

Sipas opozitës, drejtuesit e qeverisë, për përfitime materiale, insistojnë që përmes ndryshimit të ligjit për ndërtim t’i japin mundësi drejtuesve të komunave, vetëm me vendim të këshillit, të ndryshojnë fasadat e ndërtesave publike dhe private.

Kjo pjesë e ligjit, thonë deputetët e opozitës, mund të keqpërdoret nga kryetarët e komunave për të tensionuar raportet ndëretnike.

“Mund të ndodhë për shembull që në objektin ku jeton deputeti shqiptar Rexhail Ismaili në Kumanovë, këshilli i kësaj komune të sjellë vendim që të vizatohet figura e Sllobodan Millosheviçit, ose në ndërtesën time të vizatohet figura e Nikolla Gruevskit, edhe pse ne jemi kundër. Ky është një ligj fashist i cili përvec se nxit qytetarët kundër njëri-tjetrit, po ashtu cënon edhe privatësinë e tyre, duke shkelur Kushtetutën”, deklaron Nikollçe Açevski, deputet i PRSD-së.

“Kush garanton se nesër në ndonjë mur të ndonjë objekti nuk do të vizatohet ndonjë figurë, kishë, apo ikonë. Kush garanton se nesër në Muzeun e Lirisë nuk do të vizatohet fotografia e kriminelit Tarçullovski”, shprehet Gazmend Aliji, deputet i PDSH-së.

Tezat e deputetëve opozitarë, sipas, zv/ministrit të Transporit dhe Komunikacionit, Xhelal Bajrami, i cili mbrojti draftin e qeverisë, janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me esencën e ndryshimit të ligjit.

“Me propozimin tonë parashihet që të respektohet programi vjetor i sjellë nga Këshilli Komunal edhe tek objektet e ndërtuara më parë, që atyre të mund t’u ndryshohet pamja e jashtme, respektivisht fasada dhe nuk ndryshohet qëllimi i asaj ndërtese”, deklaron Bajrami.

Nëse mazhoranca miraton ndryshimin e ligjit për ndërtim, deputetët opozitarë paralajmëruan ankimimin e të njëjtit në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel