Në Greqi është rritur niveli i alarmit për terrorizëm pasi Christodoulos Xiros, militanti 55-vjeçar i grupit “17 Nëntori”, i arratisur nga burgu më 10 janar gjatë një lejeje, ka postuar në një faqe interneti një video dhe një komunikatë prej 7 faqesh, ku njofton rifillimin e luftës së armatosur.

Mesazhi, i konfirmuar si origjinal nga avokati i personit në fjalë, është fare i qartë: “Kam vendosur të rimarr pushkën time kundër kujtdo që ka vjedhur jetët tona dhe shpirtërat tanë në emër të përfitimit”, ka shkruar Xiros.

Militanti, i dënuar me 6 burgime të përjetshme bashkë me dy vëllezërit e tij për gjashtë vrasje, mes të cilave ato të 5 punonjësve të ambasadës amerikane, e ka cilësuar Greqinë si një koloni nën pushtimin gjerman.

Ai ka akuzuar dy partitë në qeveri, Nea Demokratia dhe PASOK, si përgjegjëse për atë që ai e quan “një tradhëti për të cilën do të paguhet me gjak”. Mesazhi përmban gjithashtu kërcënime të rënda edhe ndaj gazetarëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të partisë nacionaliste Agimi i Artë.

Xiros jeton në arrati që prej disa ditësh kur përmes një lejeje doli nga burgu. Videoja dhe fotoja e nxjerrin atë në një sfond të zi me foton e Che Guevara mbrapa dhe heronjve të rezistencës greke. Ministria e Brendshme nuk e ka komentuar mesazhin, duke thënë vetëm se i kërkuari do të arrestohet së shpejti.

“Demokracia nuk ka lidhje me prirjet e vrasësve dhe kriminelëve. Grekët do të bashkohen kundër terrorizmit”, deklaroi Anna Asimakopoulou, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme.

Lëvizja “17 Nëntori” ka vrarë 23 persona në vitet e terrorizmit, para se të shpërbëhej nga një valë arrestimesh në vitin 2002. “Nëse do të rishihemi, atëherë bëni mirë të më vrisni. Unë do t’ju luftoj deri në fund”, tha ekstremisti duke iu drejtuar shtetit grek.

Top Channel