Negociatat e anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Europian nisën formalisht këtë të martë me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Ditë historike për Bashkimin Europian, sipas komisionerit Fyle, ndërkohë që për Serbinë, siç tha kryeministri Daçiç, shënon ngjarjen më të rëndësishme që prej Luftës së Dytë Botërore.

Konfliktet dhe gjakëderdhjet e fundshekullit të 20 në Ballkan nuk u përmendën, përkundrazi Brukseli pretendon që Serbia të jetë shembulli frymëzues për rajonin.

Delegacionit serb iu dorëzua për t’u nënshkruar kuadri negociues, dokument që detyron ligjërisht normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ashtu sikundër Presidenca greke e BE-së nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, edhe kryeministri serb Daçiç, kur u pyet mbi detyrimin e kuadrit negociues u shpreh se nuk e dinte domethënien e kësaj kërkese kur vetë vendet e BE-së kanë qasje të ndryshme ndaj statusit të Kosovës.

Në emër të Unionit, ministri Venizelos siguroi se Prishtina dhe Beogradi nuk do të bllokojnë njëri-tjetrin në rrugën europiane.

Bazuar në mësimet e nxjerra nga negociatat e mëparshme, BE pritet të çelë së pari kapitujt mbi drejtësinë dhe sigurinë, që do të jenë dhe ndër të fundit për t’u mbyllur, gjatë këtij procesi disavjeçar bisedimesh deri në anëtarësimin e plotë të Serbisë.

Top Channel