“Shkenca dhe jeta”, “Horizonti”, “Ylli”, “Nëntori”, “Pionieri” e shumë të tjera ishin dikur revistat që mbushnin kioskat e shtypit. Ishin ndër të vetmet burime informacioni nga bota e artit, shkencës, teknikës dhe priteshin si ujët e pakët nga të rinjtë dhe nga gjithë ata që nuk reshtnin së kërkuari dhe së pyeturi për të ditur më shumë, për të kuptuar më shumë.

Ditët kur ato dilnin në treg ishin ditë të veçanta, ditë që priteshin me padurim dhe më pas gjithçka brenda atyre revistave përpihej brenda pak orësh.

Revista të tilla shkencore nuk botohen më. Të rinjtë informacionin e marrin nga interneti duke qenë shpeshherë i pasaktë dhe i përgjysmuar.

“Nuk lexoj nga revistat e sotme pasi merren vetëm me thashetheme”, thonë të intervistuarit.

Publikimet e dikurshme ishin me informacione shumë të pasura pasi përktheheshin nga revistat analoge në Botë si “National Geografic”, “Sapere”, “Science&Avenir”, “Science&Vie”, “Shkenca dhe jeta ruse, “Tout l’univers Recherche”…

A duhen disa revista të tilla sot? Për hir të së vërtetës, më shumë se kurrë.

Koleksioni i revistave “Shkenca dhe Jeta”

Jonida dhe Pranvera Rroko ishin fare të vogla kur babai i tyre nisi të koleksiononte revistat “Shkenca dhe Jeta”. Vajzat nga Maliqi i Korçës kujtojnë fillimisht se babai i blinte revistat për interes shkencor sepse gjente shumë informacione rreth punës së tij si teknik në ndërmarrjen e rritjes së gjedhit.
Jonida tregon: “Ka pasur rreth 20 revista të cilat babai i ruan me fanatizëm në bibliotekën e tij personale. I ka ruajtur pasi ka menduar se mua dhe motrës do na shërbenin kur të rriteshim.”

Më pas, koleksioni nisi të shtohej duke zgjuar interesin e dy të rejave. Kuriozitetet, skicat, faqet me informacione të shumta u bënë “ushqimi” i zakonshëm në bibliotekën e tyre: “Në fillim i shikonim për figurat, por më pas na shërbenin edhe për detyrat e shkollës pasi aty gjenim shumë informacione të vlefshme.”

Përveç informacionit të gjerë shkencor, revista konsiderohej një urë komunikimi me botën duke qenë se shkenca ishte një nga fushat më pak të censuruara: “Ishte një botë e pafundme që ne e eksploronim. Kishte shumë informacione shkencore që të mësonin shumë.”

Edhe pse sot babai nuk është më në gjendje të lexojë për shkak të sëmundjes, vajzat janë krenare që pasionin për leximin tashmë e kanë të ngulitur. “Shkenca dhe Jeta” ka qenë më shumë se një revistë për to, ajo ka qenë një dritare nga ku kanë parë Botën edhe pse kufijtë ishin të mbyllur. Sot kanë një porosi nga babai: të lexojnë gjithçka sepse herët a vonë do t’u duhet.
 
Kur “Horizonti” hapte horizonte

Talentet mund të kultivohen që në moshë të vogël. I tillë është rasti i Edvin Priftit, shefit aktual të Kardiokirurgjisë pranë QSUT-së. Ish-nxënësi i shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës”, në vitin 1986 ishte vetëm14 vjeç teksa ra në sy për prirjet në shkencat e natyrës duke treguar dhunti për lëndët ekzakte si fizika, matematika dhe kimia.

Më pas, vjen periudha e gjimnazit, ku 18-vjeçari rrëmben çmimin e parë në konkursin kombëtar të kimisë në rang republike. Aktiviteti organizohej nga revista “Horizonti” që në atë kohë ishte kthyer në një “trampolinë” për të rinjtë me prirje jo si të tjerët. I nxitur nga revista, por i shtyrë njëkohësisht dhe nga babai, një kimist i njohur, i riu bindet për të studiuar mjekësi.

Pasi përfundon studimet në vitin 1994 në Universitetin e Tiranës, vazhdon specializimet në Itali pranë universiteteve më të njohura të specializuara në kardiokirurgji.

Sot, doktor Edvinin e gjejmë në ambientet e spitalit duke u bërë gati për ndërhyrjen e radhës në zemër. Gjithçka është gati, stafi ndihmës e pret në sallën e kirurgjisë për të nisur punën. Operacioni do të zgjasë mbi tre orë, por doktorit së bashku personelin kjo gjë nuk i bën përshtypje.

Ata kanë marrë pjesë në qindra ndërhyrje kirurgjikale duke shpëtuar shumë jetë. Në momentin që gjen pak kohë të lirë, nostalgjia e bën të shfletojë shpesh revistat “Horizonti” të cilat e nxitën të zgjidhte rrugën e mjekësisë për t’u bërë një kardiokirurg i suksesshëm.

 

Top Channel