Fototeka e Marubit në Bruksel

22/01/2014 00:00

“Duke reflektuar vetë traditat tona” quhet ekspozita 2-ditore e organizuar nga Bashkia e Shkodrës, nën kujdesin e raportuesit për Shqipërinë, Nikola Vuljanic, në Parlamentin Europian.

“Marubi, një model bashkëpunues për promovimin e turizmit ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit” është një projekt 420 mijë eurosh i financuar nga Bashkimi Europian, përmes programit të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë e Malit të Zi, në kuadër të Instrumentit të para-anëtarësimit.

“Sot po e fillojmë në Bruksel, për ta vazhduar pastaj në Paris, në Berlin, në Pragë, në Beograd, në Turqi, Firence e Trieste”, tha Lorenc Luka, kryetar i Bashkisë së Shkodrës.

Në 30 kopje të punimeve bardh e zi, përzgjedhur enkas për të përcjellë etnografinë e shqiptarëve dhe malazezëve, shfaqen dhe vlerat kulturore, sociale e historike të zonave përreth Shkodrës e Ulqinit. Nga shfaqja, te shitja e kopjeve të këtyre fotografive, nevojitet një proces vlerësimi, që është ende në fazën paraprake, sipas kryebashkiakut të Shkodrës.

“Unë sot ndihem vërtet i lumtur e i emocionuar, që arritëm të realizojmë një nga prioritetet tona të vendosura për fototekën Marubi, si një proces zhvillimi e marketingu të kësaj vlere të jashtëzakonshme, që ne kemi trashëguar në Shkodër, e për nga rëndësia i kalon dhe kufijtë e Shqipërisë, mund ta barazoj me fototeka të ndryshme në nivel europian, botëror”, tha Lorenc Luka.

Veprimtaria politike kundër perandorisë austro-hungareze, që gëzonte pushtetin në vendlindjen e tij, në Itali, e detyroi piktorin, skulptorin dhe arkitektin e njohur (Pietro) Pietër Marubi, që të kërkonte azil politik përkohësisht te perandoria osmane.

Me të kapërcyer detin, Marubi jetoi fillimisht në Korfuz e Vlorë dhe u vendos në Shkodër më 1850, ku dhe shënoi hapjen e studios së parë fotografike shqiptare, të cilën ia la në trashëgimi Kel Kodhelit, sikundër dhe emrin e tij (Marubi), pas vdekjes.

I biri i Kelit, Geg Marubi, studioi në Francë më 1920 dhe u njoh me disa çmime më pas, si fotografi më i mirë në Ballkan. Pasuria e gjithë familjes Marubi përmblidhet në 120 mijë negativë. Kjo arkivë vlerësohet për cilësinë, madhësinë e jetëgjatësinë, si unike në Europë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel