Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë

22/01/2014 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka bërë të ditur për
publikun se Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit marrëveshjen shtesë
më bankën gjermane KFW për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me
Kosovën.

Zoti Gjiknuri e quajti këtë si një vendim historik, i cili i hap rrugë ndërtimit të linjës sipas tij të bllokuar qëllimisht për vite të tëra.
Kreu i energjisë tha se tashmë projekti është gati dhe pritet vetëm
disbursimi i fondeve nga KFW për fillimin e punimeve në terren.

“Kjo është shtesë marrëveshja me të njëjtat terma financiare dhe po ndodh tani për shkak të vonesave disavjeçare, shpeshherë të qëllimshme për të mos realizuar një nga prioritetet më të rëndësishme që i vlen të gjithë hapësirës shqiptare, por mbi të gjitha integron Shqipërinë në tregun rajonal energjetik dhe krijon premisat e nevojshme infrastrukturore për integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një hapësirë të përbashkët energjetike”, tha Gjiknuri.

Linja e interkonjeksionit me Kosovën është një projekt tashmë disavjeçar, i cili u bllokua pas mosmarrëveshjeve mes ish-Qeverisë së demokratëve dhe bankës gjermane KFW në lidhje me atë se kush duhet të ishte firma fituese.

Konflikti arriti kulmin kur banka gjermane u tërhoq nga financimi i projekti, pas këmbënguljes së Qeverisë për të mos pranuar firmën e shpallur fituese në tender, sipas formulës së paracaktuar për të cilën ishte rënë dakord mes saj dhe KFW.

Në atë kohë pati nga të dy anët e kufirit akuza për bllokim të qëllimshëm të projektit për të favorizuar interesat serbe në tregun e energjisë. Projekti mbeti në letër për disa vite dhe marrëveshja e re me KFW i hap përfundimisht rrugë realizimit të tij.

Top Channel