Kroacia, që prej korrikut është bërë vendi i 28 i BE-së, ka regjistruar rënien më të fortë të çmimit për banesa, konkretisht me -17% në tremujorin e tretë të vitit 2013 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012.

Lajmin e ka bërë të ditur Eurostat, sipas të cilit në të njëjtin krahasim është regjistruar rënie edhe në vendet e tjera të Ballkanit si Slloveni me -6% dhe Bullgari me -3%.

Ndërsa në një krahasim mes tremujorit të tretë dhe të dytë të vitit 2013 bien në sy rëniet e çmimeve të shtëpive me -4% në Slloveni dhe -2.5% në Rumani.

Ndërkohë, në vendet e tjera të zonës së Europës së Re, për periudhën e tremujorëve të tretë, vihet re një rritje e konsiderueshme e çmimeve si: në Estoni me +11% dhe Letoni me 6%.

Në tërësi, tregu i pasurive të patundshme ka rezultuar i qëndrueshëm në vende si Sllovaki, Çeki dhe Lituani.

Ndërsa në krahasimin mes tremujorit të tretë dhe atij të dytë të 2013 spikat rritja e Estonisë me +5%.

Top Channel