Banka Evropiane e Investimeve ka dhënë dritën jeshile për një huaj prej 150 milionë eurosh për Serbinë, në kuadër të një marrëveshjeje me Ministrinë serbe të Financave, për investime në infrastrukturë.

Bëhet fjalë për këstin e parë të një pakete prej 500 milionë euro, që synon të nxisë rimëkëmbjen e vendit dhe të ndihmojë Serbinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Operacioni do të mbështesë kështu projektet në infrastrukturë në shkallë të vogël e të mesme, por edhe investimet e autoriteteve lokale, në veçanti në mbrojtjen e ambjentit, përdorimit efikas të energjisë, si dhe në arsim, industri e turizëm.

Huaja do të jepet përmes bashkëpunimit të bankave lokale, me Bankën Qëndrore Serbe që do të shërbejë si ndërmjetëse. Bëhet fjalë për operacionin e pestë të fondit APEX në Serbi që prej vitit 2000.

Banka Evropiane e Investimeve është e pranishme në Ballkanin perëndimor që prej vitit 1977. Në 10 vitet e fundit ajo ka akredituar mbi 7 miliardë euro fonde, 4 miliardë prej të cilave vetëm për Serbinë.

Top Channel