Njëmbëdhjetë të akuzuar për rastin e fshatit Qyshk, ku mbeti i vrarë edhe babai i ish-kryeministrit Kosovar, Agim Çeku, janë akuzuar se për përfitime personale janë futur së pari në këtë fshat e më pas edhe në fshatrat përreth dhe kanë kryer masakra.

Prokuroria ka pasur edhe dëshmitarë serbë që kanë dëshmuar lidhur me ngjarjen. Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, Mustafa Radoniqi është i kënaqur me procesin, por pret që epilogu të jetë dënim për të akuzuarit, pasi siç thotë ai, janë dëshmuar veprat e kryera.

“Unë kërkoj që këta të shpallen fajtorë dhe të dënohen. Ka mjaft prova që argumentojnë fajësinë dhe veprimet e tyre, prandaj pres që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen”, deklaron Radoniqi.

Ndërkaq, Prokuroria për Krime Lufte ka bërë të ditur se ka ngritur edhe një aktakuzë për vrasjet në fshatin Lubeniq, në rrethin e Pejës, ndaj Vlladan Krstoviç, pjesëtar i xhandarmërisë serbe, Millan Ivanoviç tregtar dhe shoferit Llazar Pavlloviç.

Këta persona, së bashku me pjesëtarët e grupit “Çakejtë”, pas ngjarjeve në Qyshk vranë 46 civilë dhe plagosën 11 të tjerë. Dëgjimet e fundit për rastin e fshatit Qyshk do të zgjasin tre ditë dhe më pas do të caktohet data e shpalljes së vendimit.

Top Channel