Mundësia e përfolur e krijimit të Unionit Ballkanit dhe ngritjes së ambasadave të përbashkëta, sipas modelit skandinav, ka mbetur në vendnumëro, të paktën sipas Malit të Zi.

Megjithatë, ideja e prezantuar gjatë verës së 2013-s, ajo e bashkimit të vendeve ballkanike në një strukturë të vetme vazhdon të mbështetet prej Podgoricës.

“Nuk ka asgjë përfundimtare dhe asnjë negociatë për momentin”, deklaroi Luksiç, në një takim të përbashkët me homologun e tij bullgar.

“Formimi i kësaj organizate duhet parë si një mekanizëm informal këshillimi, i cili do të forconte nismat aktuale. Duke parë përvojën e shteteve të tjera anëtare, besoj se është e këshillueshme që shtetet e Ballkanit Perëndimor të forcojnë bashkëpunimin midis tyre me qëllim integrimin”, shtoi Luksiç.

Propozimi i formimit të një Unioni Ballkanik u shndërrua në një çështje të nxehtë debati midis palëve politike gjatë fushatës zgjedhore të 2013-s.

Përfundimisht, Shqipëria formoi qëndrimin kundërshtues ndaj këtij unioni, me arsyetimin se është e panevojshme të formohet një strukturë e tillë, në kushtet e negociatave që çdo shtet realizon veçmas me BE-në.

Në takimin me homologun bullgar, Luksiç firmosi edhe një memorandum bashkëpunimi në kuadrin e procesit të integrimit, ndërsa Bullgaria premtoi të ndihmojë me përvojën e saj të anëtarësimit.

Top Channel