Bizneset gjermane, letër qeverisë

22/01/2014 00:00

Përfaqësues të biznesit gjerman në Shqipëri i kanë dorëzuar qeverisë shqiptare një letër pozicionimi, siç e quajnë ata, me 20 hapa konkrete për zhvillimin ekonomik në Shqipëri.

Në pritjen që organizuan me rastin e Vitit të Ri, përfaqësues të bizneseve gjermane bënë të qartë se shohin një potencial të madh në Shqipëri, veçanërisht në fusha si infrastruktura, energjia, miniera, nafta e gazi, ndërtimi, bujqësia, tregtia dhe turizmi.

Ata u shprehën të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin ekonomik, si dhe për të ndihmuar në afrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Gjermanët u ndalën në propozime konkrete, që kanë të bëjnë me zgjerimin e kanaleve bilaterale të komunikimit, ku në çdo dikaster të caktohet një person kontakti, të zvogëlohen pengesat burokratike për hyrjen në treg të kompanive të huaja, të rritet besueshmëria në dhënien e licencave dhe koncesioneve, si dhe funksionimi më i mirë i sistemit të arsimit, bazuar në nevojat e tregut.

Interesi për investime nga kompanitë gjermane në Shqipëri varet – thanë ata – nga ekzistenca e një kuadri ligjor të besueshëm dhe në përputhje me standardet europiane, si dhe nga përvoja e deritanishme e kompanive gjermane.

Qeveria, sipas tyre, mund të krijojë një klimë të shëndetshme biznesi, në të cilën kapitali i investuar dhe kuadri ligjor janë të mbrojtur nga arbitrariteti, korrupsioni dhe kriminaliteti, nëpërmjet një sistemi ligjor të besueshëm, të pavarur dhe transparent.

Top Channel