
Tonet e ashpra të akuzave reciproke mes palëve për lidhje me krimin janë
rikthyer në sallën e Parlamentit. Dorëheqja nga mandatet e dy
kandidateve femra në qarkun Lezhë dhe një në Durrës, respektivisht të
PS-së dhe LSI-së, ishte shkaku i përplasjes mes palëve.
“Është turp të përmendet, por jo të jesh i sëmurë. Zonja në fjalë është në proces dialize tre herë në javë”, sqaroi ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Por opozita tha zëvendesimi i tyre u bë nën presionin mafioz. “Në Parlament i nënshtrohemi mafies. Një kompromis ndër më të turpshmit në histori mes dy kryetarëve për të hequr dy zonja dhe për t’i zëvendësuar ato me përfaqësues të mafies. Ka një kufi, ti Mimi konfidentja dhe mos e kalo atë kufi”, replikoi deputeti i PD, Sali Berisha.
“Sali Berisha, ne të dy njihemi prej shumë herët. Unë kam burrërinë të them se jetën e babait ta kam borxh dy herë. Por për të tjerat me mua nuk krahasohesh sepse në CV-në time s’ka dhe s’do ketë kurrë as vrasje e as hajnira”, u përgjigj Kodheli.
“Krimi vendos të japin dorëheqje. Kjo nuk është vetëm çështje grash, kjo është çështje e mafiesh që kërkon mburojë politike përmes mandatit dhe duan të jenë në Parlament. Unë e refuzoj”, tha më pas deputetja demokrate Jozefina Topalli.
“Kriminelët kanë dalë nga pushteti në 23 qershor, kanë dalë nga policia pas 23 qershorit, tani janë derdhur rrugëve për t’iu bindur këtij banditi për këtë që po ndodh”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ish-kryeministri Berisha e cilesoi aktin, atentatin e dyte me te rende te demokracise ne sallen e Kuvendit pas atij ndaj Azem Hajdarit. “Grupi parlamentar demokrat, duke e denoncuar këtë si një ditë të zezë në historinë e Parlamentit, si një ditë të ngadhnjimit të krimit në Parlament, në shenjë proteste vendos që të dalë nga Parlamenti sot dhe qëndrimet e tjera do ua komunikojmë në ditët që vijnë. Ky është turpi juaj”, tha Berisha.
“Më kujton atë shprehjen e famshme të një bashkëpunëtori dedikuar mbretit të Shqipërisë, që shkruante: ‘Të uroj të rrosh sa më shumë sepse meriton të mos vdesësh kurrë po të përpëlitesh çdo nate pa mundur të vesh gjumë në sy nga ëndrrat e tmerrshme të atyre që në fakt i ke bërë realitet’. Ata e dinë më mirë se ne të gjithë këtu, e dinë më mirë se çdo hetues, se çdo prokuror, se çdo gjykatës, e dinë më mirë se çdo shqiptar se çfarë kanë bërë dhe e dinë mirë gjithashtu, që sado ta kenë përgatitur për këtë ditë të keqe armatën e të korruptuarve nëpër gjykata, nuk i dihet si shkon deri në fund puna. E kujto ndër këta që i ka rënë në qafë keq për vite me rradhë këtij vendi dhe këtij populli”, tha Kryeministri Rama.
Pas doreheqjes se dy kandidateve, Parlamenti shpalli vakancen qe i dergohet KQZ per te bere zevendesimet. Ne Lezhe, kandidatja socialiste Mirela Neli, qe zevendesoi Merjeme Delishi qe me here gjithashtu hoqi dore per arsye shendetesore do te zevendesohet nga Arben Noka. Silvana Maksuti e LSI do te zevendesohet nga Bujar Derveni i qarkut te Durresit.
Por rastet ne fjale nuk jane te parat ne Kuvend. Jo me larg se ne kete legjislature, kandidati demokrat i Lezhes, Vasil Bici u terhoq nga mandati i deputetit, i cili i kaloi me pas pasuesit Mehill Fufi, i plagosur diten e zgjedhjeve ne Laç ne incidentin me te rende te 23 qershorit qe i mori jeten nje personi.
Top Channel