Kosova vazhdon të klasifikohet si shtet pjesërisht i lirë në raportin më të ri të organizatës “Freedom House”, me seli në Shtetet e Bashkuara.

Në raportin për liritë në botë theksohet se vitit 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në Euroazi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie.

Në kategorinë e të drejtave politike, Kosova vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të lirive civile me notën 4. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë.

Nota 1 paraqet shkallën më të lirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët. Shqipëria në këtë raport klasifikohet si vend po ashtu “pjesërisht i lirë”, me nota 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile.

Prej vendeve të tjera në Ballkan, klasifikim “pjesërisht i lirë” i është dhënë Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë.

Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Sllovenia e ka notën më të mirë 1 në të drejtat politike dhe në liritë civile.

Top Channel