Parlamenti i Maqedonisë miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti tha se me Kodin e ri Zgjedhor, përveç përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, plotësohen edhe standardet e Bashkimit Evropian për zgjedhje korrekte dhe demoraktike.

“Kodi Zgjedhor është shumë i rëndësishëm si për integrimin ashtu edhe për legjitimitetin e proceseve zgjedhore”, deklaroi Bexheti.

Për ndryshimin e Kodit Zgjedhor paraprakisht kishin rënë dakord partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, si dhe partia maqedonase në opozitë, LSDM. Ndryshimet nuk i mbështeti partia opozitare shqiptare PDSH, me arsyetimin se me to nuk garantohen zgjedhje të lira dhe cënohet vota shqiptare.

“Kjo marrëveshje e VMRO-së dhe LSDM-së, e përkrahur edhe nga BDI-ja nuk e ndihmon procesin zgjedhor, nuk garanton se do të kemi zgjedhje të lira, korrekte e demokratike. 100 mijë votuesit fiktivë maqedonas, që në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmtojnë votën shqiptare, i ke ende aty. Listat zgjedhore nuk janë të pastruara”, deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

“Sa i përket vërejtjes lidhur me pastrimin e listës zgjedhore, unë dua të përkujtoj se përfaqësuesit e PDSH në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve ka qenë kryesues i grupit të punës për pastrimin e Kodit Zgjedhor dhe me sa mbaj mend unë, ai ka deklaruar se janë bërë pastrimet e nevojshme”, tha nga ana tjetër Ermira Mehmeti, deputet e BDI-së.

Sipas partive në pushtet dhe opozitës maqedonase, me Kodin e ri Zgjedhor bëhet ndarja e partisë nga pushteti, me çka zyrtarëve qeveritarë u pamundësohet promovimi i projekteve shtetërore gjatë fushatës elektorale, garantohet transparencë për shpenzimin e mjeteve buxhetore, kufizohen donacionet për partinë dhe rregullohet çështja e reklamimit të aktiviteteve politike në media gjatë fushatës.

Top Channel