“Nuk do të lejojmë HEC në Radika”

24/01/2014 00:00

Megjithëse studimi për efektet e devijimit të lumit Radika në Vardar,
përfundon në mesin e ketij viti, duket se ideja e vjetër e shtetit
maqedonas për ndërtimin e një hidrocentrali në fushën e Lukovës nuk do
të realizohet.

Qëndrimi, qe u konsiderua si shterrues per shqetesimin e ngritur te koheve te fundit, nuk eshte vetem i Qeverise sone, por edhe i ministrave shqiptare ne Qeverine e Shkupit.

Abdilaqim Ademi dhe Valon Sariçini, perkatësisht ministri i Mjedisit dhe i Ekonomise ne Qeverine maqedonase kanë mbërritur në Tiranë, ku janë takuar me Kryeministrin Rama.

Per mediat, ne krahe te tre ministrave shqiptare ata garantuan se projekti nuk do te behet nese studimi tregon se cenohet qofte edhe nje element mjedisor dhe jetesor i Dibres se Madhe apo rezervat hidrike te Shqiperise.

“Në momentin kur projekti do të jetë final dhe ne si Qeveri e Maqedonisë do ta kemi të gatshëm atëherë do të njoftohet Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe do të kërkohet pëlqim nga Qeveria shqiptare. Nëse Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk jep pëlqim në lidhje me projektin final, them edhe njëherë, i cili duhet të përfundojë në fund të muajit qershor, atëherë ky projekt nuk mund të realizohet”, tha Sariçini.

“Nuk mund ta paragjykoj që sot vendimin, por në kokën time e kam që 90 për qind do të jetë negativ, mirëpo nuk mund ta them 100 për qind, sepse duhet të thuhet në fazën kur duhet të jetë edhe studimi”, tha Ademi.

Por megjithese ende nuk ka perfunduar studimi i pales maqedonase per efektet e devijimit te Radikes, duket se eshte i percaktuar tashme qendrimi kundeshtues i Tiranes zyrtare. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri garantoi se nuk do te cenohet interesi jone kombetar.

“Jemi fazën e një projekt-ideje, e cila nuk është maturuar në një projekt. Eshtë shumë e rëndësishme që vendet po dialogojnë në lidhje me këtë gjë dhe Qeveria shqiptare do të veprojë në përputhje me interesat më të mira të këtij vendi, që të mos cënojë burimet energjitike, sigurine energjitike”, tha Gjiknuri.

“Ndërtimi i këtij hidrocentrali Shqipërisë i bën dëm ekonomik, konkret dhe të qartë, prandaj të gjithë jemi këtu për të thënë nuk ka projekt, nuk do të bëhet projekt. Nuk kemi luksin të tolerojmë në kundërshtim me konventat, me direktivat e Bashkimit Europian”, tha ministri i Mjedisit, Leftër Koka.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ripërsëriti se Maqedonia nuk bën përjashtim nga detyrimi i marrëveshjeve dypalëshe për menaxhimin e ujërave ndërkufitare, as nga e drejta ndërkombëtare që rregullon këto marrëdhënie, duke kujtuar se shteti fqinj ka një kontratë me BE-në si vend aspirant. Për asnjë nga këto pika nuk ka mungesë dialogu me Maqedoninë, tha shefi i diplomacisë shqiptare, duke shtuar se opozita ka spekuluar me çështjen dhe duke garantuar se ndryshe nga paraardhësja kjo Qeveri është orientuar deri në ditën e fundit të detyrës nga interesi kombëtar.

PD: Ka projekt. Qeveria të reagojë


Partia Demokratike ka reaguar pas konferencës së përbashkët të ministrave të qeverisë shqiptare dhe dy ministrave shqiptarë të qeverisë së Shkupit për çështjen e devijimit të lumit Radika.

Sipas opozitës, Kryeministri Rama gënjen kur thotë se nuk ka asnjë projekt. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi tha se ekziston një projekt i tillë që pritet të përfundojë në muajin qershor.

“Ekziston një projekt për devijimin e lumit Radika. Sot ministrat shqiptarë dhe ministrat shqiptarë të Maqedonisë pohuan se po punohet për një projekt për të përfunduar në qershor. Ndërkohë Zëri i Amerikës thotë se Banka Botërore po punon me Maqedoninë për projektin e në fjalë. Por Rama thotë që s’ka asnjë projekt”, tha Bumçi.

PD i kërkon qeverisë, që sipas saj, të bëjë transparencë dhe të bëjë publike se si dhe ku preken interesat e shqiptarëve këtej dhe matanë kufirit shtetëror nga ky projekt.

“PD i kërkon Ramës të mos shpenzojë kohë duke u marrë me opozitën dhe shoqërinë civile, por të bëjë publike se cfarë është ky projekt? Cilët janë efektet për banorët e Dibrës së Madhe dhe Dibrës në anën tonë të kufirit? Si ndikon në prurjet në Kaskadën e Drinit? Sa preken interesat tona energjitike? Presim nga kryeministri dhe qeveria që të mbrojë interesin tonë kombëtar, ta bëjë këtë në mënyrë të qartë dhe me transparencë”, shtoi zoti Bumçi.

Top Channel