Qeveria e Kosovës ka dërguar në Bruksel një draft-statut sipas të cilit duhet të funksionojë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Besnik Osmani tha për Top Channel se statuti është ndërtuar në pajtim me ligjet e Kosovës, kartën europiane për vetëqeverisje lokale dhe marrëveshjen Prishtinë-Beograd e arritur me 19 prill vitin e kaluar.

Se çfarë kompetencash do të ketë asociacioni serb zyrtarët qeveritarë rekomandojnë që të lexohet ligji për vetëqeverisje lokale, përkatësisht pjesa ku flet për asociacionet e komunave në Kosovë.

Është ky neni 32 i ligjit për vetëqeverisje lokale i cili lejon komunat që t’u bashkohen asociacioneve përfaqësuese të organeve qeverisëse lokale të Republikës së Kosovës. Sipas ligjit, asociacioni, në këtë rast ai serb, duhet të bëjë publike dokumentet financiare dhe aktet e përfshira.

Asociacione të tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre një numër shërbimesh duke përfshirë trajnimin, ngritjen e kapaciteteve, ndihmën teknike dhe hulumtim në kompetencat komunale dhe rekomandimet politike në pajtim me ligji.

Për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicën Veriore, pala serbe akoma nuk është deklaruar për formimin e Asociaicionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Top Channel