Kryetari i minibashkisë së lagjes qëndrore të Shkupit, Andrej Zernovski, informoi për heqjen e statujës së Carit Dushan, shndërruar në objekt debatesh të vazhdueshme me shqiptarët.

Cari Dushan, i cili udhohoqi një fushatë të përgjakshme masakrash ndaj shqiptarëve në shekullin e XIII do të hiqet së bashku me 10 statuja të tjera. Megjithatë, Zernovski mohoi që të ishte pakënaqësia e shqiptarëve arsyeja që ka motivuar këtë vendim të tij.

“Nuk ekzistojnë dokumenta se kush ka urdhëruar vendosjen e këtyre momumenteve dhe ato nuk janë pjesë e planit fillestar”, komentoi Zernovski, duke iu referuar të ashtuquajturës “Urë e Qytetërimit”, në të cilën janë vendosur një seri skulpturash të burrave të shtetit dhe personazheve të tjerë të njohur të Maqedonisë.

Në total, në zonën e urës janë vendosur 29 momumente, kur në planin fillestar parashikoheshin vetëm 18 të tilla. Sipas Zernovskit, ky abuzim me vendosjen e busteve i ka kushtuar shtetit një dëm prej 650 mijë eurosh për prodhimin e statujave të papërfshira në planin fillestar dhe 18 mijë euro më shumë për vendosjen e tyre.

Për shkak të figurës së tij historike, Cari Dushan u sulmua në mënyrë të përsëritur prej shqiptarëve, duke detyruar Ministrinë e Brendshme Maqedonase që të vendoste ruajtjen e monumentit në mënyrë të pandërprerë.

Top Channel