Grupi i Aleancës Progresive të socialisteve dhe demokrateve në Parlamentin Europian i drejtoi një letër kreut të Komitetit të çmimit Nobel, Torbjorn Jagland.

Grupi propozon kandimimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së,
Catherine Ashton, kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe
kryeministrit serb Ivica Daçiç, për çmimin Nobel për Paqen 2014.

“Sot marrëdhëniet mes dy aktorëve kryesorë, Kosovës dhe Serbisë janë delikate, por ato ekzistojnë. Përpjekjet për të normalizuar marrëdheniet mes dy vendeve kanë qenë të papreçedenta dhe kanë krijuar mundësinë e një paqeje të përhershme dhe bashkëpunimin në rajon”, thuhet në letër.

Sipas këtij grupi, “nuk është thjesht një shpërblim për progresin e arritur, por edhe një motivim, mundësisht si shtysa e fundit që nevojitet për paqen afatgjatë”.

Madje, duke shkuar me tej, anëtarët e grupit thonë se thelbi i qëllimit të Afred Nobelit, për t’ia dorëzuar çmimin personave që do të bënim maksimumin apo punën më të mirë për vllazërinë mes vendeve, me të drejtë do të respektohej.

Letra e përfaqësuesve të Parlamentit Europian ndjek atë të një grupi kongresistësh amerikanë të cilët kërkuan kandidimin e tre politikanëve, Ashton, Thaçi dhe Daçiç për çmimin Nobel të Paqes, për rolin që kanë luajtur në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Top Channel