“Superskafi” i HEC-it të Komanit

24/01/2014 00:00

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka çuar për ndjekje penale ish-drejtorin e hidrocentralit të Komanit, Arben Cani dhe gjithë kastën drejtuese të këtij HEC-i për abuzim me tenderin për blerjen e një mjeti lundrues.

Bëhet fjalë për blerjen e një skafi, i cili rezulton të jetë prokuruar nga HEC-i i Komanit me vlerë 7 herë më të lartë nga çmimi i zhdoganimit. Kjo është konstuar pas një auditi të brendshëm të urdhëruar nga KESH gjatë muajve të parë të këtij viti.

Auditi ka konstatuar një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe administrative nga drejtuesit e këtij HEC-i, mes të cilave edhe ajo e prokurimit të skafit, për nevojat e vetë hidrocentralit.

Sipas dokumentave, rezulton se skafi i tipit “Marinko Cruiser 222”, i importuar fillimisht nga një subjekt privat është zhdoganuar në doganë me vlerë 38 mijë e 150 euro.

Por vetëm pak muaj më vonë i njëjti skaf është blerë nga HEC-i i Komanit për shumën 35.7 milionë lekë, ose rreth 255 mijë euro.

Pas këtyre konstatimeve KESH ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm nga puna të 6 funksionarëve të lartë në HEC-in e Komanit, përfshirë ish-drejtorin dhe ka dhënë masë disiplinore ‘vërejtje me paralajmërim’ për katër të tjerë.

Paralelisht materialet e tenderit i kanë kaluar prokurorisë për të hetuar përgjegjësitë e mundshme penale të autorëve.

Top Channel