Ish-shefi i shërbimeve sekrete kroate, Josip Perkoviç, është ekstraduar nga vendi ballkanas në Gjermani, nën dyshimin se ka organizuar vrasjen e një disidenti jugosllav vite më parë.

Perkoviç iu dorëzua autoriteteve gjermane në aeroportin e Zagrebit dhe prej andej fluturoi për në Mynih, raportoi më herët gjatë ditës televizioni shtetëror kroat.

Disidenti Stjepan Djurekoviç u vra në vitin 1983 në afërsi të Mynihut dhe në atë kohë Perkoviç ishte pjesë e lidershipit të shërbimeve sekrete jugosllave.

Kroacia hezitoi në ekstradimin e tij, duke shkaktuar një përplasje me Gjermaninë që mund të bllokonte anëtarësimin e saj në BE në korrik 2013.

Pikërisht nën presionin e BE-së dhe Berlinit zyrtar, qeveria e Zagrebit ndryshoi ligjet vendase të ekstradimit, duke hequr limitin kohor dhe duke e përshtatur atë me Urdhër-Arrestin Europian.

Zoti Djurekoviç dezertoi Jugosllavinë komuniste në vitin 1982, pasi shprehu qëndrimet e tij kundër qeverisë së atëhershme. Ai shkoi në Gjermani ku u bë aktiv në qarqet nacionaliste kroate, por u vra në qytetin bavarez të Uolfratshausenit.

Në atë kohë zoti Perkoviç ishte një oficer inteligjence pranë shërbimit sekret jugosllav në Gjermani dhe dyshohet të ketë organizuar vrasjen, të cilën ai e mohon vazhdimisht.

Pasi Kroacia u shkëput nga Jugosllavia në vitin 1991, ai drejtoi shërbimin sekret ushtarak të vendit. Në vitin 2005, Gjermania lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar për të dhe prangosja erdhi më 1 janar, kur ligjet e ndryshuara kroate hynë në fuqi.

Top Channel