Arkeologët grekë u kanë dhënë një përgjigje të ashpër gjithë publikimeve në shtypin e huaj që propozojnë privatizimin e qendrave arkeologjike në Greqi.

Sipas deklaratës që publikon Shoqata e Arkeologëve Grekë, hidhet poshtë propozimi i fundit i profesorit amerikan Steven Miller, i cili në një artikull të fundit në revistën “Times” jep një version për privatizimin e monumenteve të lashtësisë greke në mënyrë që ato të shpëtohen, siç thotë ai, nga shkatërrimi.

Disa muaj më parë një kompani amerikane kishte propozuar në një eveniment të Bursës Greke në Nju Jork, që gjithë qendrat arkeologjike të Athinës, nga Akropoli e deri në Lavrio, të shndërroheshin në një Disneyland arkaik.

“Vendet arkeologjike dhe monumentet i përkasin të gjithë shoqërisë. Mbrojtja, promovimi dhe menaxhimi është përgjegjësi e shtetit përmes Shërbimit Arkeologjik, ashtu siç sanksionohet edhe në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Ato janë bartëse të kujtesës historike dhe vetëdijes. Nuk janë objekt negocimesh për privatizim apo për fitim nga subjekte private”, theksohet në deklaratë.

Shoqata e Arkeologëve Grekë i fton të gjithë për të mbrojtur kujtesën kolektive, monumentet dhe qytetërimin dhe për të ngritur zërin që ato të mos shiten.

Vitet e fundit edhe disa deputetë të Parlamentit Europian kanë deklaruar se Greqia mund të privatizonte disa hapësira të antikitetit për të zbutur një pjesë të borxhit të saj kolosal.

Këto zëra janë shtuar sidomos pas disa vjedhjeve në Muzeun e Olimpit të Lashtë dhe të Galerisë Kombëtare në Athinë, si dhe pas disa grevave të përsëritura të nënpunësve në muzeumet kryesore të vendit, që shpesh herë linin të zhgënjyer me mijëra turistë që vizitonin Athinën.

Deri tani nuk ka asnjë reagim nga Athina zyrtare për këto propozime, por numri rekord i turistëve për vitin 2013, që tejkaloi shifrën prej 17 milionë vetë, nuk lë shkak për të kaluar në privatizimin e hapësirave arkeologjike greke.

Top Channel