Serbia do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Qeveria e Serbisë pritet të mbajë të martën një mbledhje në të cilën presidentit të vendit do t’i dërgohet një propozim për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 16 mars.

Burime në qeveri kanë thënë se presidenti Tomisllav Nikoliç pritet të shpallë zgjedhjet brenda së mërkurës, në mënyrë që të jenë brenda kohës për datën e kërkuar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri i Drejtësisë, Nikolla Selakoviç. Serbia dëshiron të konfirmojë vullnetin e qytetarëve pasi partitë në pushtet kanë një përbërje të ndryshme prej votave që besohet se kanë.

Kryetari i Partisë Progresiste të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është zëvendëskryeministër, por besohet se në fakt pikërisht ai udhëheq qeverinë pasi partia e tij, nga e cila vjen edhe presidenti Nikoliç, është më e madhja në Serbi.

Kjo parti, dikur një grupim i radikalëve, u forcua pas rënies nga pushteti të demokratëve të ish-presidentit Boris Tadiç. Vendimi pritet të merret pas kthimit nga Brukseli të krerëve të shtetit, ku janë në bisedimet me Kosovën.

Ndërkaq, ata pritet të sjellin edhe përgjigjen se kush do t’i organizojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, në të cilat serbët në bazë të dyshtetësisë kanë të drejtë të marrin pjesë.

Top Channel