Tritol në derën e shtëpisë

28/01/2013 00:00

Policia e Shkodrës arrestoi në mbrëmje një nga personat e dyshuar për vendosjen e tritolit në banesën e biznesmenit Bledar Canka.

Ai është 15-vjeçari Marselian Guri, ndërsa policia njofton se ka identifikuar edhe autorin e dytë të dyshuar, shtetasin Shkëlzen Xhenja, 22 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të së hënës në banesën e 34-vjeçarit. Nga shpërthimi, fatmirësisht nuk pati viktima, por dëme të konsiderueshme materiale në banesën e tij dhe të fqinjëve.

Dyert u shkatërruan dhe vala e shpërthimit shkuli edhe muret e banesës. Në shtëpinë, ku u vu eksplozivi, 34-vjeçari banon me familjen e tij.

Pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes mbërriten forcat e policisë, që menjëherë morën në pyetje kryefamiljarin. Ai është tregtar që merret me biznesin e bizhuterive dhe, sipas deponimeve të para, deklaroi se nuk kishte asnjë konflikt.

Ndërkohë, hetimet po ndiqen nga sektori i anti-terrorit. Nga hetimet rezulton se lënda plasëse ka qenë një sasi e konsiderueshme, rreth 250 gram e llojit tritol, dhe shpërthimi ka qenë i fuqishëm, aq sa shkuli nga vendi dyert e blinduara të të gjithë banesave të katit të pestë, ku ka ndodhur ngjarja, si dhe bllokoi edhe dyert e ashensorëve.

Policia, në lidhje me ngjarjen, shoqëroi gjatë ditës 8 persona, ndërsa ngriti disa pista hetimi, ku dyshimet janë për konfliktet personale mes të dëmtuarit dhe autorëve të ngjarjes.

Nga ndalimi i njërit prej autorëve të dyshuar dhe identifikimi i tjetrit, pritet të zbardhet më tej kjo ngjarje e rëndë, ndërsa dyshohet që gjithçka mund të lidhet me një debat banal të para disa javëve, që i dëmtuari nuk i ka dhënë rëndësi.

Top Channel