Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brayan Ye ka porositur autoritetet maqedonase dhe ato greke që të intensifikojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për problemin e emrit kushtetues të Maqedonisë.

Pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se SHBA dhe Bashkimi Evropian mbështesin dialogun për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por sipas tij Shkupi dhe Athina duhet të gjejnë vetë një zgjidhje për problemin biletaral.

“Nuk biseduam për propozime konkrete rreth çështjes së emrit, por mendoj se është e rëndësishme për të gjitha palët që të mendojnë per mundësitë dhe nevojën për të gjetur një kompromis. Punojmë bashkarisht që të gjendet mënyra e vërtetë që do të mundësonte zgjidhjen e problemit. Por, megjithatë, kjo nuk është nje çështje të cilën duhet ta zgjidhin SHBA apo BE, por vendet e përfshira drejtpërdrejtë në këtë proces dhe ato janë Greqia dhe Maqedonia. Roli ynë është që ta mbështesim procesin”, deklaroi Ye.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brayan Ye, i cili  në këtë detyrë zëvendëson Filip Reeker ka thënë se zgjidhja e problemit shumëvjeçar greko-maqedonas nuk është e lidhur me afate.

Gjatë qëndrimit të parë në Maqedoni, zyrtari amerikan përveç kryeministrit ka takuar edhe presidentin Ivanov, liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, para të cilëve ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Top Channel