Protesta e studentëve para Rektoratit vazhdoi deri në orët e mbrëmjes, me kërkesën kryesore: dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, pas skandaleve që përfshinë universitetin, për shkak të botimeve në një revistë të rreme indiane.

Pas rezistencës së studentëve për t’u larguar nga Rektorati, si fillim ka reaguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës, të cilët larguan me dhunë studentët deri jashtë rrethimit të ndërtesës dhe u shoqëruan në stacionin policor 27 prej tyre. Gjatë nderhyrjes të policisë pati edhe të lënduar, të cilët u trajtuan nga ekipe mjekësore.

Pas gati 12 orë protestë, Senati i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme mori disa vendime si: inkurajimi i debatit për shqetësimet e fundit rreth universitetit, inkurajimi i secilit individ që të adresojë sjelljet jo-etike akademike në Këshillin e Etikës së universitetit, si dhe përkrahje e plotë për punën e Këshillit të Etikës.

Senati caktoi edhe dy komisione: Komisioni për shqyrtimin e revistave, në të cilat ka publikuar stafi akademik i universitetit; që përbëhet prej Prof. Dr. Agni Dika, Prof. Dr. Shaban Buza, Prof. Dr. Naser Zabeli; dhe komisionin për rishikimin dhe plotësim-ndryshimin urgjent të akteve normative në fuqi.

Por, studentët, pas këtij vendimi paralajmëruan protesta të tjera, pasi ky vendim – sipas tyre – është marrë vetëm që t’i largojë ata dhe se nuk ka të bëjë me kërkesat e tyre. Lidhur me protestën dhe dhunën e përdorur nga Policia e Kosovës pati edhe reagime.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, përmes rrjetit social Facebook, ka thënë: “Këto foto nuk i duhen Kosovës së Lirë! Kosovës i duhen foto pune, mësimi e studimi, foto jete e jo dhune!”.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se protestat e studentëve për dorëheqjen e Rektorit të Universitetit të Prishtinës janë të ligjshme.

“Është tragjike që, 15 vjet pas luftës në Kosovë, studentët të mbyllin hyrjen e Rektoratit”, thuhet në reagimin e AAK-së. Protesta u organizua nga Lëvizja për Kritike, Studim dhe Veprim.

Prishtinë, protestë e studentëve, ndërhyn policia

Policia e Kosovës ka ndërhyrë për t’i larguar dhjetëra studentë nga oborri i rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Kjo pasi studentë nga organizatat studentore ‘Studim, Veprim Kritik’, dhe ‘Klubi Politik i Studentëve’ për disa orë kishin bllokuar hyrjen e rektoratit.

Pas rezistencës së studentëve për t’u larguar nga rektorati ka reaguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës, të cilët me dhunë larguan studentët deri jashtë rrethinave të ndërtesës. Sipas zëdhënses së Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, 25 persona janë shoqëruar në stacionin policor dhe pritet që me urdhër të prokurorit të vazhdojnë me procedurat e nevojshme.

Shoqërimi i tyre nga policia u bë pasi që sic thotë Ahmeti, policia disa herë ka kërkuar të lirohen hapësirat e rektoratit dhe se protesta ka qenë e paparalajmëruar. Studentë të tjerë po vazhdojnë protestën jashtë rrethinave të rektoratit deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkesa kryesore e studentëve është dorëheqja e menjëhershmë e rektorit Ibrahim Gashi, pas bërjes publike të skandaleve brenda stafit akademik në këtë Universitet.

Top Channel