Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, pasi ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka vlerësuar se dy arritjet kryesore të Serbisë janë bisedimet me Bashkimin Evropian për integrimin, por edhe vendosja e kontakteve me Kosovën.

Serbia do të shkojë në zgjedhjet parlamentare më 16 mars. Sipas presidentit, këto zgjedhje duhet të tregojnë tolerancën dhe një fushatë të qetë.

“Në dy vjet që pas zgjedhjeve të fundit Serbia ka përjetuar ndryshime për të mirë. Meritat i kanë të gjithë që punojnë në institucione. E dini që kemi arritur çeljen e bisedimeve me BE-në, qëllim që ka qenë i paimagjinuar për shumë vetë dhe kemi vendosur dialogun me Prishtinën”, ka deklaruar Nikoliç.

Ai ka thënë se qeveria e re duhet të ketë besimin e plotë të qytetarëve. “Na presin reforma të vështira dhe të dhimbshme. Na presin kushtet që BE i paraqet para të gjithë kandidatëve apo anëtarëve të rinjë. Por tani të gjitha këto i presim shumë më mirë se para dy vitesh”, ka thënë Nikoliç.

Presidenti serb ka premtuar se institucionet do të vazhdojnë të punojnë, ndërkohë që qeveria ka njoftuar se institucionet do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën.

Top Channel