Nisma e BDI-së për të hyrë në zgjedhjet presidenciale me kandidat të përbashkët me partnerin maqedonas të koalicionit po shkon drejt dështimit, pasi për këtë temë partia maqedonase VMRO-DPMNE deri tani nuk ka treguar interes.

Pas disa takimeve të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti me kryeministrin Nikolla Gruevski, burime pranë partisë shqiptare në pushtet bëjnë të ditur se partneri maqedonas nuk ka vullnet për të dalë me një kandiadat konsensual në presidenciale.

Jozyrtarisht mësohet se e vetmja mundësi për të bashkëpunuar është që partia e Ali Ahmetit të mbështesë në zgjedhje kandidatin e VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë, kjo do të ishte e vështirë pasi BDI-ja tashmë e ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë edhe për një mandat presiendetin aktual Gjorgje Ivanov, me  të cilin sipas të gjitha gjasave VMRO-DPMNE do të garojë edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Nisma e BDI-së është e papranueshme edhe për partinë maqedonase në opozitë, LSDM. Drejtuesit e kësaj partie bëjnë të ditur se do të garojnë me kandidat të vetin, ndërsa thonë se po përpiqen të gjejnë një figurë të pranueshme për të gjithë qytetarët e vendit.

Pas këtyre sinjaleve negative për idenë e kandidatit konsensual me partitë maqedonase, BDI ka shqyrtuar mundësinë për koalicion entik me partitë e bllokut opozitar shqiptar.

Por, edhe kjo mundësi nuk ka shumë gjasa për t’u realizuar, pasi kreu i PDSH-së Menduh Thaçi ka thënë se nuk është i interesuar të bëjë marrëveshje me asnjë parti, pasi zgjedhja e një presidenti shqiptar në Maqedoni pamundësohet me Kushtetutë.

Sipas të gjitha gjasave, në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në muajin prill, secila nga partitë më të mëdha do të garojë e vetmne, kurse emrat e kandidatëve presidencialë pritet të mësohen nga fundi shkurtit.

Top Channel