Një lëkundje sizmike, 4.4 ballë e shkallës Rihter është regjistruar
mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të Pilosit, një qytet i vogël në bregun
perëndimor të Peloponezit.

Lëkundja, e verifikuar në orën 23:04, ka shkaktuar panik të madh tek banorët e zonës pas tërmeteve që kanë përfshirë së fundmi ishullin e Qefalonisë që prej së dielës.

Shumë persona kanë dalë në rrugë dhe kanë preferuar ta kalojnë natën në makina, në sheshin e madh të qendrës së qytezës, disa dhjetra kilometra larg portit.

Ditën e martë, Instituti Sizmiologjik i Serbisë raportoi për një rritje shqetësuese të aktiviteti sizmiologjik në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Paralajmërimi i ISS-së erdhi pasi në orët e para të mëngjesit të së martës u verifikua një tërmet me fuqi prej 4.2 ballë në Banja Luka, në Bosnjen Verilindore dhe disa orë më pas një tërmet 3.9 pranë Patrës, në Greqi.

Këto dridhje toke erdhën vetëm një javë pasi lëkundje të përsëritura të së njëjtës forcë, shoqëruar nga disa valë pasgoditëse u regjistruan midis Tiranës dhe Durrësit.

Në raportin ISS-së shkruhej se në muajt e fundit është regjistruar një aktivitet sizmik i shtuar në Greqi, Mal të Zi e Serbi. Ndonëse tërmetet janë të paparashikueshëm, rritja e aktivitetit sizmiologjik në Ballkan rrit edhe mundësitë e goditjes së rajonit nga një tërmet madhor.

Pellgu i Mesdheut është historikisht ndër më të goditurit prej tërmeteve në shkallë botërore, pasi ndodhet në pikën e bashkimit të dy pllakave të mëdha tektonike.

Top Channel