Serbia kërkon lirimin e politikanit nga Mitrovica, Oliver Ivanovic, ndaj të cilit EULEX-i shqiptoi masën e paraburgimit si i dyshuar për krime lufte dhe krime pas luftës.

Aleksandar Vucic, zëvendëskryeministër i Serbisë tha në një konferencë për shtyp se i ka shkruar shefes për Politike të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Catherine Ashton lidhur me rastin. Serbia, tha ai ka kërkuar disa sqarime dhe vlerësoi se kjo rëndon situatën pasi humbet besimi i serbëve të Kosovës.

“Si është e mundur që dikush që ka kryer krime të tilla për të cilat flitet lëviz lirshëm në tërë territorin e Kosovës e Metohisë, më shumë se të gjithë ne. Bisedon me përfaqësuesit ndërkombëtarë të cilët e respektonin. Flet me serbët, me shqiptarët dhe pastaj në mbrëmje para zgjedhjeve arrestohet?! Ne mendojmë se është me rëndësi për shkak të paqes e stabiliteti, besimit në mes të serbëve dhe BE-së, por edhe Serbisë që Ivanovic të lirohet. Nëse ekzistojnë dyshime dhe baza për krimet, është e sigurt se një njeri që është figurë publike nuk do të fshihet dhe të ikë”, thotë Aleksandar Vucic, zv.kryeministër i Serbisë.

Ai tha se Ministri për Kosovën, Aleksandar Vullin ka biseduar me përfaqësuesin e BE-së, Samuel Zhbogar.

“I kemi transmetuar pakënaqësinë tonë dhe dëshpërimin dhe presim që të na bëhet e ditur një përgjigje”, tha Vucic.

Top Channel