“Reformim shërbimeve inteligjente”

30/01/2014 00:00

Seanca parlamentare është dominuar prej më shumë se dhjetë orë, nga diskutimet për sigurinë publike në vend, ku rekordi i fjalimeve është mbajtur nga ish-kryeministri Berisha.

Përkundër akuzave të opozitës për rritje të kriminalitetit, kryeministri Rama kundërshtoi përmes shifrave.

Duke iu referuar të njëjtës periudhë të vitit të shkuar, ai tha se është ulur me 18% numri i aksidenteve me pasojë vdekjen, është ulur me 50% numri i vjedhjeve me armë me pasojë vdekjen, dhe numri i vrasjeve nga 53 është ulur në 34.

Shefi i qeverisë deklaroi gjithashtu se ka nisur hartimi i një strategjie tërësore për krimin e ri të shpërthimeve me eksplozivë, duke iu kundërpërgjigjur opozitës se po bën politikë me krimin.

“Së shpejti këtij Parlamenti do t’i vijë për shqyrtim një reformë ligjore e këtij Kuvendi për rendin publik, e po ashtu do të ngrihet dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë. Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it, që ngrihet me një ligj të vitit 1998, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lipset një reformë tërësore, ligjore dhe organizative, e cila ka filluar siç ka nisur dhe strategjia e re e sigurimit kombëtar”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

“Po si mund të presin shqiptarët rendin, kur kreu i ekzekutivit është njeriu më i lidhur me mbetjet e bandave më të rrezikshme të vendit. Ku e pyet krimi këtë, krimi e ka për kafe këtë. Ndaj dhe ata kanë pushtuar sot çdo rrugë, çdo shesh, çdo zyrë të këtij shteti dhe bëjnë ligjin. Por, fshehja e krimeve është turpi më i madh. Nuk ka ndihmë më të madhe mbi tokë, që i bëhet krimit, se sa ta fshehësh atë”, reagon deputeti Sali Berisha.

“Aq keq e luani pjesën e të përvuajturit për mëmëdhenë, sa duket sikur tërë natën e kaloni duke pritur të plasë diku tritoli, që të dilni me vrap dhe të akuzoni jo krimin, por policinë. Është zgjedhja juaj, mbase s’keni tjetër me tërë ato gjynahe të pushtetit tuaj, që ua lënë pa gjumë plakun dhe ua katranos edhe juve të gjithëve gjuhën”, replikoi Edi Rama.

Kreu i Kuvendit i kërkoi gjithashtu opozitës të jetë e kujdesshme me akuzat për Policinë e Shtetit, duke i paraprirë apelit me pyetjen, përse demokratët nuk kanë reaguar për tritolin në shtyllën e tensionit të lartë në Milot.

“Nuk duhet që, për inat të Edi Ramës, Saimir Tahirit, Ilir Metës dhe cilitdo tjetër, ne t’i kundërvihemi Policisë së Shtetit, apo organeve të drejtësisë, sepse ata kanë nevojë për mbështetjen tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ordiner. Prandaj ta japim të gjithë këtë mbështetje, sepse nga tritoli, që kërcet në rrugët e qyteteve tona, kërcënohen njësoj të gjithë, demokratë e socialistë, por dhe qytetarë pa parti”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

***

Situata e krimit në vend dhe operacioni i fundit i policisë që coi në
prangosjen e pjesëtarëve të një grupi tritol-vënës, ishin në qendër të
debatit mes maxhorancës dhe opozitës në seancën e kësaj të enjte në
Kuvend.

Kryeministri Rama tha se situata nuk është e zakonshme dhe nuk mund të fshihet. Për t’u përballur me krimin, kryeministri paralajmëroi reforma edhe në shërbimet e inteligjencës kombëtare.


“Sigurisht që ky muaj ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm, sidomos psikologjik për shkak të risisë negative në tërësinë e aktiviteti kriminal. Aktet terrorizuese, goditjet kriminale me tritol. Ky është një fakt, jo vetëm i pamohueshëm por më shmë se sa i pamjaftueshëm se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se sa thjesht reagimi i Policisë së Shtetit. Së shpejti në parlament do të vijë për shqyrtim një reformë ligjore për rendin publik, po ashtu do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë. Ky është një fakt më shumë po ashtu për të kuptuar se niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare jo vetëm i SHISH-it që ngrihet në një ligj të vitit 1998, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lipset një reformë tërësore, ligjore dhe organizative e cila ka filluar sic ka filluar edhe strategjia e re e sigurimit kombëtar”, tha Rama.



Edi Rama kritikoi opozitën e cila sipas tij, pavarësisht operacionit që ai e cilësoi spektakolar të policisë, nuk e tha një fjalë të mirë për uniformat blu. Rama tha se policia është në proces ristrukturimi thelbësor që do të vazhdojë.



“Pas operacionit spektakolar të policisë që zbuloi zullumin e tritolit, heshtët. Nuk thatë një fjalë të mirë për policinë. Shtetin që ju rrënuat ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë, Policinë e Shtetit që e lidhët këmbë e duar me nyjet e paaftësisë në do të vazhdojmë ta zgjidhim. Që Shqipëria të shpëtotne nga krimi, duhet të shpëtonte më parë nga pushteti juaj”, tha Rama.



“Janë hedhur bazat e një ristrukturimi të plotë dhe ka marrë fund nënshtrimi politik, janë ndryshuar pagat për punonjësit në terren që e bën policinë sot të aftë, që jo vetëm të sekuestrojë sasi të mëdha droge dhe operacione si ai i djeshmi dhe ju siguroj që ky është vetëm fillimi. Shifrat flasin vetë, zbulueshmëria e krimeve është rritur ndjeshëm. Janë kapur 15 përqind më shumë persona brenda vendit dhe 111 përqind persona më shumë në kërkim ndërkombëtar”, vijoi Kryeministri.



“Ju bëni politikë me krimin, ne bëjmë luftë me krimin. Politika juaj e frymëzon krimin, ne do ta cojmë krimin aty ku e ka vendin dhe ky është vetëm fillimi”, mbylli fjalën Rama.

Top Channel