Kallëzim tjetër për Arben Imamin

30/01/2014 00:00

Pas një kallëzimi të mëparshëm, që është ende nën verifikim nga prokurorët, për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami kërkohen sërish hetime.

Këtë radhë, grupi i auditit të Ministrisë së Mbrojtjes akuzon ish-ministrin për afera në fushën e demontimit të armëve, shitjes së tritolit, sponsorizimeve, e deri te kalimi i klubit sportiv Partizani në pronësi të Uzinës së Mjekësit.

Ish-ministri Imami, sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është kallëzuar së bashku me ish-drejtorin e uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës, Daniel Karanxha, për veprat e shpërdorimit të detyrës, shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti, dhe shkelje të barazisë në tendera.

Top Channel ka mundur të sigurojë nga këto burime edhe një kopje të kallëzimit. Ish-ministri Arben Imami dhe Daniel Karanxha akuzohen se, për periudhën 2011-2013 janë realizuar 7 procedura ankandi publik për shitjen e skrapit në uzinat Gramsh, Poliçan dhe Mjekës, në një kohë që për pesë prej tyre janë konstatuar shkelje, të cilat i kanë shkaktuar shtetit në total dëmin ekonomik prej 136,654,081 lekësh.

I gjithë procesi për shitjen e skrapit është zhvilluar brenda një dite, në të cilën ka dalë urdhri për komisionin e testimit të tregut, ka dalë procesverbali i testimit dhe urdhri i ministrit për ankandin në fjalë.

Në kallëzim denoncohet se ministri ka vepruar në kundërshtim me rregulloren e Ministrisë dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, numër 138, të datës 14 Mars 2007, e njohur edhe si VKM e Gërdecit, që përcakton qartë procedurat dhe strukturën e specializuar brenda Ministrisë së Mbrojtjes, që merret me procedurat e shitjes së materialit ushtarak, që është demontuar dhe nxjerrë nga përdorimi.

Në rastin në fjalë, janë anashkaluar VKM-ja e mësipërme dhe Drejtoria e Prokurimeve dhe Ankandeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ministri ia ka deleguar këto të drejta Uzinës së Mjekësit, e cila me ligj ka detyrë vetëm trajtimin e materialit ushtarak, por jo shitjen e tij.

Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes numër 670, datë 21/04/2011, është realizuar shitja e 7519.29 ton skrap të llojeve të ndryshme. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes me shumën prej 75 141 842 lekë.

Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, numër 1374, datë 29/08/2011, është realizuar shitja e 4504.62 ton skrap. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes në shumën prej 35 032 763 lekë.

Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes numër 2022, datë 20/11/2012, është realizuar shitja e 4264.31 ton skrap. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes në shumën prej 1 143 321 lekë.

Një tjetër shkelje, e konsideruar e rëndë nga hartuesit e kallëzimit penal, është edhe mënyra se si është kryer shitja në Bullgari e 500 ton lëndë plasëse tritol, po nga Uzina e Mjekësit, me blerës një shoqëri shqiptare.

Në këtë proces ka shkelje të udhëzimeve, mes të cilave përsëri fakti që Uzina e Mjekësit nuk është e specializuar të eksportojë, duke qenë se e drejta për trajtimin e materialit ushtarak i takon ndërmarrjes MEICO dhe se blerësi ka kryer blerjen, përpara marrjes së autorizimit për transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, nga Agjencia Kombëtare e Eksporteve Ushtarake.

Po kështu çmimi prej 450 dollarë për ton është përcaktuar mbi bazën e kërkesës së blerësit, pa kontrolluar tregun, dhe se çmimi përfundimtar i shitjes me 600 dollarë, i aplikuar nga firma, e ka favorizuar ndjeshëm atë.

Një tjetër përgjegjësi është edhe ajo e kalimit në pronësi të Uzinës së Mjekësit të klubit sportiv Partizani, në bazë të një procesi të pambështetur në ligj.

Në auditim janë konstatuar shkelje edhe për procedurën e prokurimit për realizimin skenografik 3D të një koncerti të trashëgimisë shpirtërore shqiptare, në kundërshtim me ligjet për buxhetin, ku janë shpenzuar 11 milionë lek, që i janë marrë ndërmarrjes MEICO dhe janë prokuruar nga Uzina e Mjekësit, ndërkohë që prokurimi prej saj është i paligjshëm, pasi kjo uzinë nuk prokuron fonde për koncerte, por i administron ato.

Po ashtu, në kallëzim thuhet se janë edhe 6 procedura sponsorizimi në vlerë 3,6 milionë lek, jashtë kompetencave të saj dhe të marra nga fondi rezervë për ndihma sociale, i cili si rregull përdoret për fatkeqësi ose sëmundje për punonjësit e vet ndërmarrjes.

Në, total sipas kallëzimi të dorëzuar nga Ministria e Mbrojtjes dëmi, që i është shkaktuar shtetit nga shitja e skrapit, sponsorizimet dhe procedurat e tenderimit të Uzinës së Mjekësit, arrin në mbi 160 milion lekë, ose pak më pak se 1,2 milionë euro.

Kallëzimi i dytë, reagon Imami
Ish-ministri: Një flluskë tjetër e radhës, është sulm ndaj meje

Pas lajmit për një kallëzim të dytë në Prokurori, nga Ministria e Mbrojtjes, reagoi ish-ministri Arben Imami. Sipas tij, kjo është një tjetër flluskë e radhës dhe sulm personal ndaj tij. Imami tha se të gjitha procedurat e ndërmarrjes së Mjekësit janë të rregullta.

“Ministria e Mbrojtjes, besoj, ka bërë një padi të dytë, një flluskë tjetër të radhës, gjë që ishte e parashikueshme. Ajo që është e sigurt, është se edhe ky kallëzim nuk ka asnjë sens. Ministri as nuk shet dhe as nuk ble vet, drejtpërdrejt, por kjo është çështje e dorës së dytë. Edhe në këtë rast, ne jemi të bindur që kemi të bëjmë me një sulm kundrejt personit, dhe për të cilin normalisht duhet të isha njoftuar, në qoftë se ka një raport. Çështja që u çua përpara nuk pati raport dhe pa një të tillë, pa u identifikuar asnjë lloj shkeljeje, ministrja e mori këtë iniciativë”, është shprehur Imami.

Top Channel