Deflacioni shqetëson eurozonën

31/01/2014 00:00

Apelet drejtuar Bankës Qendrore Evropiane për të vepruar në mbrojtje të rekuperimit të brishtë të ekonomisë së eurozonës janë shtuar pas publikimit të të dhënave mbi inflacionin dhe papunësinë.

Shifrat zyrtare tregonin se inflacioni i eurozonës ra në 0.7 për qind në janar, nga 0.8 për qind që ishte në dhjetor, shumë më ulët se objektivi i parashikuar nga BQE prej 2 për qind.

Kjo ka shtuar shqetësimet nëse blloku i monedhës së përbashkët mund të pësojë një deflacion, që mund të nxjerrë “nga binarët” rritjen ekonomike.

Të dhëna të tjera tregonin ndërkohë se kuota e papunësisë në dhjetor kishte mbetur e pandryshuar në 12 për qind.

Agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat deklaroi se pavarësisht se ka një rritje prej 1.7 për qind të kostos së ushqimit, alkoolit dhe duhanit në janar, ajo e energjisë ra me 1.2 për qind.

Shumë ekonomistë kishin parashikuar se kuota e inflacionit në eurozonë do të mund të rritej lehtshëm në janar. Kuota në fjalë shkoi në 0.7 për qind në tetor, që ishte niveli më i ulët i bllokut prej 18 anëtarësh në katër vjet.

Shqetësimet për një deflacion të mundshëm, atëherë kur çmimet e mallrave dhe aseteve bien në afate të gjata duke prekur përfitimet e korporatave, rritjen e rrogave dhe duke tunduar konsumatorët për kursim me shpresën për rënie të mëtejshme, janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit.

Top Channel