Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, do të firmosë të shtunën vendimin për zgjedhjet presidenciale dhe do të shpallë edhe datën për mbajtjen e tyre.

Partia shqiptare në qeveri, BDI, ka paralajmëruar se, nëse partneri maqedonas i koalicionit, VMRO-DPMNE, nuk e pranon kërkesën për kandidat konsensual për president, partia e Ali Ahmetit do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale.

“BDI konsideron se, nëse nuk hasim në mirëkuptim për ofertën tonë për kandidat konsensual, do të konsiderojmë që subjektet politike ende nuk janë të gatshme për këtë ofertë. Nëse nuk hasim në mirëkuptim për kandidatin konsensual, do të shqyrtohen seriozisht të gjitha opsionet e tjera, duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Sipas partisë shqiptare në opozitë, PDSH, konflikti mes partnerëve të koalicionit qeveritar, rreth kandidatit konsensual për president, është tentim për ta hequr vëmendjen e opinionit nga problemet reale dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve.

“BDI-së dhe Ali Ahmetit, gjithçka që u intereson është pushteti, asesi zgjidhja e problemeve të shqiptarëve. Ndërkohë që Ali Ahmeti dhe BDI po e bëjnë problem gjetjen e një maqedonasi për president të shtetit, kryeministri Nikola Gruevski promovon me dhjetra dhe qindra projekte, me vlerë qindra miliona euro, vetëm në zonat e banuara me maqedonas”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

Zgjedhjet presidenciale priten të mbahen nga mesi i muajit Prill dhe, sipas të gjitha gjasave, bashkë me presidencialet do të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Top Channel