Banorët shqiptarë të fshatit Llokë në Shkup janë sulmuar mbrëmjen e së premtes në shtëpitë e tyre nga një grup të rinjsh, të cilët pa asnjë arsye i kanë ofenduar me baza entike dhe gjuajtur me gurë mbi shtëpitë e shqiptarëve, me ç’rast janë dëmtuar disa automjete.

Edhe pse në këtë incident nuk ka pasur asnjë person të lënduar, banorët fshatit Llokë, ku jetojnë mbi 100 familje shqiptare, thonë se nuk ndjehen të sigurt, pasi prej një kohe të gjatë provokohen nga maqedonasit dhe askush nuk ndërmerr masa për të parandaluar këto provokime. Të revoltuar nga kjo situatë, banorët thonë se janë të detyruar të organizohen për të mbrojtur fshatin dhe pronat e tyre.

“Ne nuk guxojmë të lëmë nipat tanë të shkojnë vetëm në shkollë. Çdo mëngjes ne pleqtë jemi bërë si nxënës, pasi i përcjellim nipat në shkollë nga frika se mund t’i sulmojë dikush. Para pak kohësh nipin tim e kanë sulmuar”, thotë një banor i moshuar.

“Ky problem është më i vjetër se 15 vite. Një herë kanë ndezur urën, kanë bërë edhe probleme të tjera dhe policia nuk i ka arrestuar. Para një jave një djalë e rrahën në lagjën Gjorçe Petrov. Nëse policia nuk merr masa, atëherë jemi të detyruar që ta ruajmë vetë fshatin dhe ai që na sulmon nuk del i gjallë prej këndej”, thotë i irrituar një tjetër.

Menjëherë pas këtij sulmi, banorët e Llokës janë vizituar nga autoritetet lokale, të cilat kanë premtuar zbardhjen e rastit dhe kanë dënuar sulmin, i cili sipas tyre dëmton raportet ndëretnike dhe mund të ndikojë në tensionimin e situatës në Shkup.

Policia ka konfirmuar incidentin dhe ka njoftuar se gjatë ditës së shtunë janë ndaluar 14  persona, për të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që sulmuan banorët shqiptarë në fshatin Llokë një natë më parë.

Top Channel