Reagime të mëdha ka shkaktuar në mediat greke dhe në rrjetet sociale një deklaratë për emigrantët që ka bërë dy ditë më parë në një stacion radiofonik të vendit ministri grek i Rendit Publik, Nikos Dhendias.

Funksionari i lartë grek, një nga nismëtarët e luftës kundër emigracionit ilegal dhe zbatuesit e operacionit “Ksenios Zeus” që ka filluar prej disa muajsh, i ka quajtur emigrantët klandestinë që vijnë në Greqi, si të një cilësie tragjike.

“Cilësia, ose më mirë ndryshimi i kulturës së emigrantëve që kemi ne në krahasim me vende të tjera është tragjike. Ndryshe e përballon Suedia emigrantin që vjen nga vendet e ish-Bashkimit Sovietik, i cili ka një nivel arsimi, është europian në kuptimin e plotë të fjalës dhe ndryshe ne që përballojmë emigrantë nga Pakistani dhe Bangladeshi”, ka thënë Dhenidas.

Duke shtuar se nuk donte të fyente askënd, ai ka theksuar se këta emigrantë që vijnë nga këto vende i përkasin një kulture tjetër dhe vijne nga një botë tjetër në raport me shoqërinë greke.

Lajmi është komentuar në shumicën e mediave të majta. “Koment racist” e ka quajtur gazeta e opozitës “Avgji”, kurse “Eleftherotipia” si “një deklaratë bombë” nga një ministër i qeverisë.

Ndërsa në websaitin e disa opinionistëve më në zë të vendit “Protagon”, shkrimi i radhës përsa i përket kësaj deklarate bëhet me nota ironie nën sloganin “Jeto emigrimin tënd të paligjshëm në Greqi”, ku në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit “ftohen” të rinj dhe të reja jashtë vendit, me nivel të lartë shkollimi, të vijnë në Greqi si emigrantë të paligjshëm për të gjetur punë.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë greke të Rendit Publik, në vitin 2013 shumica e emigrantëve që kanë hyrë në vend janë nga Shqipëria me 36%, më pas vijnë ata nga Siria me 19%, nga Afganistani me 15%, Pakistani me 10% dhe nga Bangladeshi me 3.5%.

Greqia konsiderohet porta më e madhe hyrëse në BE për shkak të kufirit tepër të gjatë detar me vendet e Lindjes dhe përballon prej vitesh valë të mëdha të emigrantëve nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia, një pjesë e madhe të të cilëve mbeten të bllokuar pas aplikimeve për azil politik, që bëjnë menjëherë sa kalojnë në tokën greke.

Top Channel