Partia ultranacionaliste “Agimi i Artë” do të gjejë një mënyrë tjetër për të kandiduar në zgjedhjet lokale të Greqisë dhe ato për Parlamentin Europian.

Kjo ishte deklarata, që ka bërë zëdhënësi i saj, deputeti Ilias Kasidhiaris, në një miting mbrëmjen e së shtunës, para mijëra mbështetësve në Athinë, ku – midis të tjerash – ka deklaruar se nëse qeveria do ta nxjerrë këtë parti jashtë ligjit, anëtarët e saj do të formojnë një parti të re me emrin “Agimi Kombëtar”.

“Na futën në burg dhe çfarë ndodhi? Bëmë ndonjë hap pas? Asnjë. Përkundrazi, “Agimi i Artë”, që ka tani dy dëshmorë në luftën e shenjtë për atdheun, si dhe grupin e tij udhëheqës brenda në burg, nuk ka bërë asnjë hap pas. Nuk kemi mohuar asnjë fjalë prej atyre që kemi thënë. Përkundrazi, kemi më shumë unitet, jemi akoma më të fuqishëm, më të fortë dhe, për një kohë të shkurtër, do të jemi në pushtet”, tha Ilias Kasidhiaris.

Lideri i AA dhe pesë deputetë të tjerë të tij janë në burg, në pritje të gjyqit, me akuzat e krijimit dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale. Por, kjo parti, që mohon se është një organizatë neonaziste, mbetet ende forca e tretë politike në vend, pasi zemërimi i grekëve ndaj masave antipopullore të qeverisë sa vjen dhe rritet.

Dy sondazhet e fundit i japin nga 8,9-10,3% të votave kësaj force politike, nëse zgjedhjet do të bëheshin tani, parti që mban si simbol emblemën e nazistëve dhe beson se do t’i heqë Greqisë erën e keqe të emigrantëve, siç shprehen në mënyrë karakteristike anëtarët e saj.

Kasidhiaris, personi më i rëndësishëm i saj, pas arrestimit të liderit Nikos Mihalioliakos, i cili ka në plan të kandidojë për kryetar bashkie të Athinës në Maj, sugjeroi se një parti e re me emrin “Agimi Kombëtar” do të mund të zëvendësojë “Agimin e Artë”, nëse ajo do të pengohet nga qeveria për të marrë pjesë në zgjedhje, duke u konsideruar i jashtëligjshëm.

Top Channel